O’Brien: Nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, teksa shton se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara

Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O'Brien.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien thotë se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”.

Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar Qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, ajo vendosi ta zbatojë atë pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë, thotë O’Brien, teksa shton se vendet moderne të Evropës i zgjidhin këto çështje me dialog paraprak dhe informojnë banorët me kohë.

Zyrtari amerikan tha se kishte pasur disa kontakte me kryeministrin Kurti para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.

“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur qëkur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë, qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”.

Ai thekson se njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat.

“Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”, shtoi O’Brien.

I pyetur lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi që pas marrëveshjeve të Ohrit, O’Brien tha se zbatimi i tyre i përket secilës palë të ndërmarrë veprimet e veta, e pakushtëzuar nga pala tjetër.

Serbia tha ai, ka marrë dy hapa të rëndësishëm drejt njohjes defakto të Kosovës, si çështja e targave dhe dokumenteve doganore.

I pyetur nëse Beogradi qëndron prapa sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë, O’Brien tha se Serbia zëvendësoi shefin e shërbimit të zbulimit, i cili ishte i përfshirë në të, tërhoqi trupat afër kufirit me Kosovën dhe se Uashingtoni pret që Serbia të ndjekë penalisht personat përgjegjës.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika