Oda Amerikane: Kosova të lirohet nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit, po rrezikohen investimet e huaja

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson se Kosova duhet të lirohet sa më shpejt që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit, pasi po rrezikohet tërheqja e investimeve cilësore të huaja.

Oda Amerikane ka vlerësuar përpjekjet e institucioneve të Kosovës për përshpejtim të rritjes ekonomike të vendit, megjithatë, kjo odë thotë se këto përpjekje vijojnë të kenë efekt të limituar në rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Tutje thuhet se institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës.

“Oda Amerikane beson fuqishëm që Kosova duhet të lirohet sa më shpejt që është e mundur nga diskursi i konfliktit dhe jostabilitetit. Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili përmend Kosovën si njërën nga dhjetë vendet me rrezik për konflikt vdekjeprurës ose eskalim gjatë vitit 2024, rëndon më tej perceptimin negativ mbi Kosovën, e që pamundëson tërheqjen e investimeve cilësore të huaja. Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë rëndësinë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, si thirrje e vazhdueshme edhe e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Si avokuese e fuqishme e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, Oda Amerikane vlerëson pozitivisht hapat e ndërmarrë nga Kosova dhe nga Serbia së fundmi për njohjen e targave të veturave, duke vlerësuar se hap tjetër me rëndësi do të ishte largimi i barrierave në tregtinë ndërmjet të dyja shteteve, duke i hapur rrugë zhvillimit të përshpejtuar ekonomik.

“Prandaj, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që t’i largojë masat aktuale të cilat ndalojnë hyrjen e produkteve finale nga Serbia, të cilat kryesisht godasin interesat komerciale të shteteve partnere të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Largimi i barrierave tregtare do ta bënte Kosovën më tërheqëse për investitorët e huaj, meqë ata konsiderojnë mundësitë të cilat u ofrohen nga qasja në tregje më të mëdha dhe përfitimi nga ekonomitë e shkallës në prodhim dhe distribuim”, thuhet tutje.

Më tej, Oda Amerikane thotë se në tri dekadat e fundit, Kosova ka bërë një kapërcim të madh dhe kjo falë bashkërendimit të përpjekjeve të saja me partnerët ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Prandaj, bashkërendimi i mëtejmë i të gjitha synimeve që kanë për qëllim fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës, duhet vijon të bëhet në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, e kjo përfshin edhe zbatimin e Rregullores së miratuar së fundmi nga Banka Qendrore e Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, si dhe kërkesa për shtyrjen e dispozitave të saj të caktuara, me qëllim të lejimit të përgatitjeve të nevojshme për zbatim dhe eliminimit të pasojave të mundshme negative”, theksohet tutje.

Në frymë të komunikimit e të bashkëpunimit, Oda Amerikane u kërkon institucioneve të degëve legjislative e ekzekutive të  Kosovës që të promovojnë dialogun e sinqertë publiko-privat, si mjet të rëndësishëm për formulimin dhe zbatimin e politikave, rritjet dhe zhvillimin ekonomik, reformat rregullative dhe efikasitetin e tyre, si dhe rritjen e besimin publik në qeverisje.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika