Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me deklaratën e Qeverisë së Kosovës, e cila ka thënë se odat ekonomike nuk duhet të komentojnë çështjet që kanë të bëjnë me promovimin e sundimit të ligjit dhe llogaridhënies në qeverisje.
Sipas OEAK-it, Qeveria është duke tentuar që të kufizojë komentimin në çështjen e transparencës dhe llogaridhënies, për rastin e rezervave shtetërore, për të cilin në cilësinë e dëshmitarit është ftuar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Në një njoftim për media, Oda Ekonomike Amerikane ka theksuar se, si një organizatë që për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm afarist, ajo beson se “keqpërdorimet e pretenduara në prokurimin publik minojnë konkurrencën e drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe çojnë në keqpërdorimin e mundshëm të fondeve publike, duke cenuar kështu besimin e tatimpaguesve”.
Po ashtu, në reagim, Oda Ekonomike Amerikane ka theksuar përpjekjet e pushtetit ekzekutiv për të “diktuar diskursin e akterëve joshtetërorë”, duke përfshirë organizatat dhe mediat, përmes “përpjekjeve për delegjitimim të qëndrimeve të tyre”.
Sipas tyre, një politikë e tillë mund të dëmtojë ndjeshëm klimën e lirisë dhe të shprehjes në vend.
“Kosova ka ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndërtuar themele të forta të demokracisë, dhe asnjë përpjekje nuk mund të cenojë suksesin e arritur,” thuhet në njoftim.
Oda Ekonomike ka potencuar se çdo organizatë e shoqërisë civile, media apo individ tjetër ka “për obligim dhe duhet të avokojë fuqishëm në kërkim të llogaridhënies dhe transparencës.”
Sipas tyre, “është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të lejohen të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje.”
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka theksuar rëndësinë që çdo individ, pavarësisht pozitës zyrtare, të dëshmojë në praktikë se “Kosova është një shtet i së drejtës.”