Organizatat e Shoqërisë Civile me një letër të hapur i janë drejtuar Këshillit të Evropës, përmes së cilës, shprehin mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
Ata kanë theksuar se si anëtarë të organizatave të shoqërisë civile të Kosovës, mbështetin fuqimisht ofertën e dhënë Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës.
“Ne, si anëtarë të organizatave të shoqërisë civile të Kosovës, mbështesim fuqishëm përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ky anëtarësim është një hap i rëndësishëm drejt nxitjes së demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë,” shkruhet në njoftimin e tyre.
Letra e plotë e organizatave:
Letër e hapur në mbështetje të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Ne, si anëtarë të organizatave të shoqërisë civile të Kosovës, duam t’u bëjmë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe të shprehim shqetësimet tona për perspektivën evropiane të Kosovës dhe anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Ne mbështesim fuqimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është një hap themelor në forcimin e përkushtimit dhe realizimit të vendit për të drejtat e njeriut dhe konfirmimin e të ardhmes së Kosovës në BE.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës jo vetëm që do të ndihmonte procesin e integrimit evropian të Kosovës, por edhe do të përshpejtonte demokratizimin për të përmbushur standardet evropiane.
Ne gjithashtu e pranojmë se përgjegjësitë e Kosovës nuk përfundojnë me anëtarësimin. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë që qeveria jonë të vazhdojë të përmbushë të gjitha kushtet pas anëtarësimit.
Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Shoqëria civile në Kosovë është e përkushtuar në mbajtjen e presionit ndaj qeverisë për të përmbushur obligimet për të cilat është përkushtuar Kosova, në mënyrë të plotë dhe transparente, duke siguruar që rruga jonë drejt integrimeve evropiane të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ne jemi të gatshëm të mbështesim dhe avokojmë për këto synime, duke promovuar një të ardhme ku Kosova të përparojë si pjesë e familjes evropiane.