Grupet korale dhe aktivitetet muzikore ndikojnë që jeta e secilit fëmijë të marrë një kahje tjetër, duke krijuar kështu gjenerata të cilat do të përcjellin dhe do të jenë vazhdimësi e zhvillimit të kulturës në vend.
E një gjë të tillë është duke e bërë solokëngëtarja dhe udhëheqësja vokale e korit “Okarina”, Elikona Hysaj-Shala, e cila udhëheq një kor i cili vazhdimisht ka përcjellë gjenerata të artistëve të rinj për 8 vjet me radhë.
Në një intervistë për portalin Dukagjini Shala ka treguar rreth punës së saj me fëmijë për gati një dekadë.
“Kur kemi filluar kanë qenë vetëm 4 fëmijë pjesë e korit dhe dëshira ime ka qenë konstant që edhe me 4 fëmijë të vazhdojë, por me këndimin e pastër, me zërin e tyre fëmijëror si duhet dhe me besimin te zëri i tyre si dhe me këndimin vetëm gjallë”.
“Kori ‘Okarina’ që nga fillimet e tij numëron suksese të njëpasnjëshme dhe secila ka veçantinë e vet si paraqitje, mund të them me plotë gojë që ekzistojmë si kor që 8 vjet, dhe tani ky kor numëron në grupin e tij rreth 85 fëmijë”, ka thënë Shala.
Ajo ka theksuar se do të vazhdojë edhe në të ardhmen të punojë vetëm me zërin e fëmijëve duke mos përdorur ndonjë formë tjetër për paraqitje në koncerte.
“Idesë së këndimit të gjallë i kam shkuar deri në fund dhe vazhdoj t’i shkoj, sepse kori “Okarina” shquhet për këndimin e tij vetëm të gjallë dhe mendoj që koret nuk duhet të ekzistojnë në këndim play back, sepse është e gabueshme si ide dhe pikërisht ideja ime për këndim të gjallë i ka sjellë sukseset korit “Okarina”, ka shtuar Shala.
Duke folur rreth veçantive të sukseseve që i kanë sjellë këtij kori, ajo vazhdon të potencojë që këndimi i gjallë ka qenë çelësi.
“Veçantia është vetëm këndimi i gjallë, prandaj unë si pedagoge duhet t’i nxisë fëmijët që t’i njohin teknikat vokale. Kori “Okarina” nuk mund të fillojë punën me materialin muzikor artistik pa ushtrimet vokale duke filluar nga frymëmarrja e rregullt, nxjerrja e tingullit të depërtueshëm, dhe teknika të cilat, patjetër, që duhet t’i njoh së pari pedagogia dhe pastaj t’iu tregojë fëmijëve se si duhet të këndohet drejt e mirë. Këto teknika vokale i përdor edhe unë si solokëngëtare, por që në një formë pak më të thjeshtësuar janë që i përdori me fëmijët dhe ato gjithmonë i kanë shërbyer vetëm për mirë gjithë korit”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, Shala ka radhitur disa nga koncertet më të sukseshme të këtij kori ndër vite.
“Koncerti më të madhen Inva Mula ka qenë një paraqitje e jashtëzakonshme për ne si grup koral, kur fëmijët kanë pasur rastin të takohen në skenë me divën e muzikës shqiptare, pastaj koncerti në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku kori “Okarina” është paraqitur me copëzat e veprës korale për fëmijë, të operës “Dasma arbëreshe” e profesor Rauf Dhomit”.
“Këto dy paraqitje mund t’i cilësoj si shtylla që në fillim, të cilat i kanë treguar shumë mirë publikut se ky kor mund të paraqitet me të vërtetë me materiale të vështira dhe të bukura, shumë kërkuese si material artistik, por që mund t’ia dalim me ngulm duke punuar në formën teknike”, ka shtuar më tej.
Padyshim që një nga periudhat më të vështira për institucionet arsimore dhe gjithë aktivitetet jashtëshkollore me fëmijë ka qenë koha e izolimit për shkak të pandemisë, por ky grup koral i fëmijëve ka pasur suksese edhe në këtë kohë.
“Një ndër sukseset më të veçanta mund të them ka qenë gjatë kohës së pandemisë, kur morëm ftesën për një incizim i cili është realizuar për të lidhur artistët shqiptarë kudo që janë, dhe kjo ka qenë ftesë nga sopranoja e cila mban kulturën vokale në një nivel të lartë artistik në Amerikë e që është Dëshira Ahmeti”.
“Duke mos lënë anash festivalin ‘Etno Fest’ i cili ka hapur dyert për ne si kor i vetëm i fëmijëve, që kanë qenë të ftuar në këtë festival që t’i kultivojmë vlerat e kulturës muzikore shqiptare”, është shprehur Shala.
Ndërkaq, ajo ka cekur edhe bashkëpunimin me festvalin “Pianisti i ri”, kështu duke iu mundësuar pianistëve të rinj dhe korit të paraqiten së bashku në skenë.
“Sukses tjetër i korit është edhe ftesa në festivalin “Pianisti i ri”, ku jemi paraqitur me dy këngë, por që na është dhënë një hapësirë më ndryshe se që ishim mësuar, duke kontribuuar me dy çmime për dy pianistë fitues, që ata të bënin bashkëpunim mes ‘Pianistit të ri’ si festival dhe korit ‘Okarina’. Kështu, duke iu mundësuar pianistëve të përcjellin korin në paraqitjet e tyre, duke iu mësuar edhe një kulturë fëmijëve, atë të ndarjes së skenës së bashku”, ka theksuar udhëheqësja vokale.
Por, në vazhdimësi Shala ka përmendur edhe koncertin me të cilin ky kor ka bërë histori duke u ngjitur në skenë me rreth 300 artistë.
“E rëndësishme është të potencoj që ngjarja kulminante ka qenë interpretimi i veprës ‘Carmina Burana’ duke bërë që kori “Okarina” të hyjë në historinë e Filharmonisë së Kosovës si kori i vetëm i fëmijëve të cilët janë ngjitur në skenë me institucionin më të lartë muzikor në Kosovë, duke u bashkangjitur në interpretimin e një vepre siç është ‘Carmina Burana’ me 300 artistë në skenë”, ka shtuar solokëngëtarja.
Duke iu referuar fjalës sukses ajo ka treguar edhe për eksperiencën e fundit të këtij kori bashkë me tenorin Ramë Lahaj.
“Dua të radhis në mozaikun e sukseseve të korit edhe paraqitjen në koncertin e fundit të mbajtur në kuadër të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, në të cilin fëmijët kanë pasur rastin të ngjiten në skenë me një tenor të përmasave të tilla siç është Ramë Lahaj, kështu duke përjetuar një performancë dhe përvojë të paharrueshme”, është shprehur ajo.
Ndër të tjera, ajo ka treguar për paraqitjen e tyre në Kërçovë, duke shtuar se i pret një turne me koncerte gjatë muajit shtator.
“Kemi pasur edhe një udhëtim në Kërçovë, ku fëmijët kanë marrë pjesë në festivalin “Dita jonë” dhe në të njëjtë kohë ka qenë performanca jonë e parë jashtë vendit si kor”.
“Ndërsa, pas kësaj na pret një turne me koncerte jashtë Kosovës, bëhet fjalë për koncertet në fund të shtatorit që janë planifikuar të mbahen në Gjirokastër dhe në Tiranë, kështu duke i paraprirë edhe paraqitjeve të tjera në qytetet e Shqipërisë”, ka theksuar Shala.
Ajo më tej ka treguar se punën e saj e ka të ndarë ne grupe, gjë e cila i ka lehtësuar procesin.
“Puna jonë bëhet me sektore të ndara në grupmosha, varion grupi nga 4 deri në 6 vjeç që quhet parashkollor, sepse janë me materiale të thjeshta, të lehta dhe jo të mundimshme për vokalin e fëmijëve”.
“Pastaj është grupmosha 7 deri në 9 vjeç të cilet janë shumë entuziastë dhe shumë të gjallë, me material muzikor më të larmishëm, dhe grupi tjetër është 10 deri në 13 vjeç të cilët janë shumë shpesh në skenë me grupin 13 deri në 18 vjeç”, ka shtuar Shala.
Ndërkaq, ka shpalosur edhe dobitë që sjell aktiviteti muzikor në personalitetin e fëmijëve.
“Janë më të socializuar, janë më të lirë dhe më të dashur, çdo gjë mësohen të ndajnë së bashku dhe rriten me idenë e bashkëpunimit, sepse kori është bashkëpunim, është balancë tingulli, përparësi për njëri-tjetrin, jo vetëm si individ të paraqiten dhe të arrijnë sukseset por si grup. I bën më të shkathët, sepse duke dalë në skenë e fitojnë vetëbesimin edhe në fusha të tjera” ka theksuar udhëheqësja vokale.
Sipas saj, Kosova ka kulturë korale dhe duhet të insistojmë më tepër ta ruajmë këtë vlerë dhe të mbërrijmë ta përçojmë dhe ta përcjellim edhe jashtë Kosovës.