OKB: Afro gjysmë milionë palestinezë janë zhvendosur për shkak të luftimeve në Rafah dhe veri të Gazës

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se afërsisht gjysmë milionë palestinezë janë zhvendosur gjatë ditëve të fundit si pasojë e përshkallëzimit të operacioneve ushtarake izraelite në jug dhe veri të Gazës

Rafah, 13 maj, 2024. Foto: AFP

Afërsisht gjysmë milionë palestinezë janë zhvendosur gjatë ditëve të fundit, si pasojë e përshkallëzimit të operacioneve ushtarake izraelite në jug dhe veri të Gazës, njoftojnë Kombet e Bashkuara.

Rreth 360 mijë palestinezë u larguan nga Rafahu në jug të Gazës gjatë javës së shkuar, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë. Përpara se Izraeli të ndërhynte në Rafah, atje strehoheshin rreth 1.3 milion palestinezë. Autoritetet izraelite thonë se në Rafah gjendet baza e fundit e Hamasit.

Trupat izraelite po luftojnë militantët e Hamasit edhe në veri të Gazës, ku ushtria ndërmori një operacion të madh në fillim të luftës.

Urdhrat për evakuim që u lëshuan të shtunën kanë detyruar zhvendosjen e më shumë se 100 mijë njerëzve deri më tani, tha për gazetarët të hënën zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.

Punonjësit e ndihmave po përballen me vështirësi për të shpërndarë ushqim, që sa vjen e mpaket për qindra mijëra palestinezë, për shkak të asaj që Izraeli e cilëson operacion të kufizuar në Rafah.

38 kamionë me miell mbërritën përmes pikës kufitare perëndimore Erez, një pikë hyrëse për në veri të Gazës, tha Abeer Etefa, zëdhënës i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.

Izraeli njoftoi hapjen e pikës kufitare të dielën.

Por asnjë ushqim nuk ka hyrë në dy pikat kryesore kufitare në jug të Gazës gjatë javës së fundit.

Të dyja vendkalimet pranë Rafahut ishin të mbyllura gjatë së hënës.

Farhan Haq nga OKB tha se shpërndarja e ndihmave humanitare në rajon është ndalur.

Ende nuk ka shpërndarje të ndihmave humanitare përmes vendkalimit në Rafah, i cili është i mbyllur tha ai. Dhe akoma ka mungesë të qasjes së sigurt në vendkalimin Kerem Shalom. Ne po përpiqemi t’i marrim ndihmat, duke përfshirë vendkalimin Erez, por sasia e ndihmave të transportuara ka qenë shumë e vogël ditët e fundit”.

Më shumë se 1.1 milion palestinezë në Gazë përballen me nivele urie katastrofike, sipas Kombeve të Bashkuara.

Pothuajse e gjithë popullsia varet te ndihmat humanitare për të mbijetuar.

Gjatë shtatë muajve të sulmeve ajrore dhe të operacioneve tokësore të Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të autoriteteve të shëndetësisë që kontrollohen nga Hamasi.

Lufta nisi në 7 tetor, kur Hamasi, e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, sulmoi Izraelin, duke lënë të vrarë 1200 persona, shumica civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.

Izraeli thotë se militantët mbajnë akoma peng 100 persona si dhe trupat e 30 të tjerëve./VoA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika