OKB: Shumë palestinezë largohen nga spitali më i madh në Gazë

Një numër i madh i palestinezëve të zhvendosur, përfshirë pacientë dhe personel shëndetësor janë larguar nga spitali më i madh në Gazë, i rrethuar nga forcat izraelite sipas një zyrtari të OKB-së më 13 nëntor

Shumë palestinezë të zhvendosur, përfshirë edhe disa pacientë, janë larguar nga spitali më i madh në Gazë, që është i rrethuar nga forcat izraelite, tha një zyrtar i Kombeve të Bashkuara më 13 nëntor.

Afër 650 pacientë, 500 punëtorë shëndetësorë dhe 2.500 persona të zhvendosur vazhdojnë të jenë në ndërtesën e spitalit Shifa, tha Mohammed Zaqout, drejtor i spitaleve në Gazë.

Kjo sinjalizon se një numër i madh i personave janë larguar gjatë fundjavës kur zyrtarët shëndetësorë në Gazë thanë se afër 1.500 pacientë, së bashku me 1.500 punëtorë shëndetësorë dhe 15.000 persona të zhvendosur ishin në Shifa.

Forcat izraelite dhe luftëtarët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë përfshirë në luftime të ashpra jashtë Shifas, dhe disa zyrtarë spitalorë kanë thënë se Shifa është nën rrethim, ndërkaq personat që gjenden brenda janë zënë në mes të zjarrit izraelit.

Izraeli ka thënë se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen.

Situata në Shifa u përkeqësua gjatë fundjavës, me mjekët që raportuan se gjeneratori i fundit i spitalit kishte mbetur pa karburant, duke çuar në vdekjen e disa pacientëve, përfshirë foshnjave të lindura para kohe.

Një zyrtar i OKB-së tha të hënën se shumica e të zhvendosurve janë larguar nga spitali dhe disa familje kanë marrë me vete familjarët e tyre të plagosur.

Ai tha se pacientët që kanë mbetur nuk mund të largohen pasi për ta kërkohen procedura të posaçme për evakuim, sikurse autoambulanca me pajisjet e duhura që do t’i dërgonin ata në spitalet në Egjipt.

Ky zyrtar foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste me gazetarët.

Edhe një spital tjetër në qytetin e Gazës, Al-Quds, është detyruar të mbyllet të dielën pasi i mbaruan furnizimet me karburant.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, që operon me këtë spital, tha se forcat izraelite janë stacionuar pranë spitalit dhe po bëhen përgatitje për evakuimin e 6.000 pacientëve, mjekëve dhe personave të zhvendosur, shkruan REL.

Zyrtarët izraelitë kanë refuzuar thirrjet për armëpushim nëse nuk lirohen pengjet e marra nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit, që nxitën luftën Izrael-Hamas.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika