Portieri i Interit, Andre Onana, është tërhequr nga Përfaqësuesja e Kamerunit.
Onana të premten e 23 dhjetorit ka njoftuar për pensionimin e tij nga karriera ndërkombëtare.
26-vjeçari ka marrë këtë vendim pas telasheve që i pati në Kupën e Botës “Katari 2022” me trajnerin e Kamerunit, Rigobert Song.
Ai luajti në ndeshjen e parë të grupeve me Zvicrën, u la jashtë ekipit ndaj Serbisë dhe u kthye në shtëpi para duelit të fundit me Brazilin.
“Çdo histori e ka fundin e saj, dhe historia ime me Kamerunin ka marrë fund. Lojtarët shkojnë e vijnë, emrat janë të përkohshëm, por Kameruni mbetet i përjetshëm”, ka shkruar ndër të tjera Onana në Twitter.
Ai debutoi me Kamerunin në shtator të vitit 2016 dhe regjistroi 34 paraqitje.
Onana para fillimit të këtij sezoni iu bashkua Interit, ndërsa me ekipin italian ka bërë 13 paraqitje deri më tani në të gjitha garat.
❤️🇨🇲 pic.twitter.com/yclau0Kf4M
— Andre Onana (@AndreyOnana) December 23, 2022