Mustafë Kadrijaj, njohës i ekonomisë, e ka komentuar operacionin policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe të Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, Kadrijaj thotë se “dramat” e tilla shkojnë në favor të shtetit serb.
Sipas tij, Kosova po del të duket si shtet jostabil për nga ana e sigurisë.
“Me ligjet aktuale, përveç që duhet bërë një kërkesë dhe ta japë certifikatën ARBK, njëherit duhet të dërgohet edhe dokumentacionin shtesë dhe atë pozitën financiare… ne po kërcënohemi nga ana e drejtpërdrejtë të sigurisë luftarake dhe si Kosovë është dashur që në këtë drejtim të jepet kohë. Kosova rrugëtimin e vet e ka pasur kryekëput me partnerët ndërkombëtarë. Derisa je në bisedime, nuk ke shumë të drejtë që t’i mbyllësh, sepse nuk dihet përfundimi i bisedimeve se si do mbesin ato. Së paku është dashur të ketë politikë që derisa ka bisedime të mos merret me këtë punë. Për Serbinë, këto lloj drama që po ndodhin në Kosovë, i shkojnë në favor Serbisë. Kosova në vazhdimësi po del si shtet jostabil për nga ana e sigurisë dhe nga ana e problemeve. Kjo gjendje i shkon në favor shtetit të Serbisë”, tha ai.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës më 20 maj.
Lidhur me këtë, Kadrijaj thotë se sjellje të tilla Amerika mund të presë nga Serbia, por jo edhe nga Kosova.
“Amerika mundet të presë çdo lloj sjellje jokonstruktive nga shteti verior, por nga një shtet siç është Kosova ta marrë këtë lloj sjellje nga ana jonë më së paku e ka pritur dhe duhet ta presë. Kjo valutë është e BE-së, por miqtë ndërkombëtarë po shihet se nuk janë të interesuar në mënyrë arbitrare… qëllimi së pari është të kemi siguri”.
Megjithatë, ai thekson se derisa në Kosovë funksionojnë banka me kapital të huaj, atëherë ka të drejtë të funksionojë edhe ndonjë bankë me kapital të Serbisë.
“Nuk duhet të veprojmë me emocion. Përderisa ekzistojnë banka me kapital të huaj, ka të drejtë të veprojë edhe një bankë me kapital të Serbisë. Serbia e ka komoditetin dhe mundësinë diplomatike që të na dëmtojë”.
Gjatë aksionit u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.
Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë (mbi 600.000 euro), rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.
Aksioni i Policisë së Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.