Është arrestuar një person në veri, nën dyshimin se i njëjti ishte përfshirë në përpunimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike, në shkurt të këtij viti.
Me anë të një komunikate, bëhet e ditur se ky është i dyshuari i tretë i arrestuar në vazhdën e hetimeve të operacionit policor “Shpata”, të zhvilluara në veri të Mitrovicës.
“Më 12.02.2023, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, patën zhvilluar një operacion policor të koduar me emrin ‘Shpata’, në rajonin e Mitrovicës Veri, me qëllim të luftimit të kultivimit të lëndëve narkotike. Gjatë realizimi të atij operacioni policor, ishte arritur të zbuloheshin tre laboratorë me bimë narkotike; dy laboratorë me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të. Gjatë realizimit të operacionit policor në fjalë, policia kishte arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj serbë. Sot, më 04.04.2023, rreth orës 15:20, në vazhdën e hetimit të rastit të lartcekur, policia ka identifikuar dhe arrestuar edhe një të dyshuar (të dyshuarin e tretë): R.K., (viti i lindjes 1968, mashkull serb kosovar)”, thuhet në komunikatë.
Krahas kësaj, bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar, dhe të njëjtit i janë iniciuar rastet “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” dhe “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ase bimëve të kanabisit”.
Me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.