Investimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po konsiderohen të kryera sa “për sy e faqe”, nga partitë opozitare.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vlerësuar se Qeveria është treguar e paaftë në përmirësimin e kushteve për punëtorët shëndetësor.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se në shëndetësi po ndodh një keqpërdorim i buxhetit dhe se investimet po bëhen vetëm sa të shpenzuar buxheti.
Zemaj ka theksuar se investimet e fundit nga Ministria e Shëndetësisë që po bëhen po i pengojnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore.
Ai ka shtuar se profesionistët shëndetësor janë dëmtuar për shkak të bindjeve politike dhe janë detyruar të largohen nga sektori publik në atë privat po ashtu edhe jashtë vendit.
“Trajtimi i mirë i brendshëm krijimi i një ambienti të mirë të punës, të eliminohen ndërhyrjet ashtu siç është parë në këto vit profesionistët janë atakuar për shkak të bindjeve politike dhe kanë ardhur njerëz pa kompetencë në udhëheqjen menaxheriale, shumë janë detyruar të largohen nga institucionet private mbi të gjitha edhe jashtë vendit e që është shqetësimi më i madh”, ka deklaruar Zemaj për EO.
Ndërsa, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka theksuar se shëndetësia në qeverisjen e fundit është përkeqësuar.
Haxhiu e ka konsideruar një mangësi të madhe në mos-plotësimin e kushteve të punës ndaj profesionistëve shëndetësor, të cilët si pasojë e kësaj po largohen nga vendi e në sektorin privat.
“E kam propozuar para një viti që të ketë një strategji për të ndalur dhe përmirësuar kushtet e punëtorëve shëndetësor në sektorin publik. Derisa ne nuk arrijmë me ofru kushte të punës dhe paga të dinjitetshme për profesionistët shëndetësor në sektorin publik, sigurisht se kanë me na ikë në sektorin privat. I keni parë rastet e anesteziologëve të cilët shumica kanë braktis sektorin publik kanë kaluar në sektorin privat sepse sektori privat iu ka ofruar kushte më të mira”, ka deklaruar Haxhiu për EO.
Deputeti i PDK-së ka theksuar se në një mënyrë apo tjetër, Qeveria është treguar e paaftë në ndërmarrjen e veprimeve për kushte më të mira të punëtoreve shëndetësor.