Pas fillimit të seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, të cilën e ka hapur kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka pasur bllokim të vazhdimit të punës së seancës nga opozita, ku Konjufca është detyruar që të ftojë kryetarët e grupeve parlamentare për konsultim.
Tahiri i PDK-së, këput mikrofonin e foltores
Në fillim të seancës, opozita ka filluar me brohoritje, duke goditur tavolinat me shishe, për të kundërshtuar kështu ligjin për pagën minimale, si shenjë solidarizimi me protestën e veteranëve.
Ndërkohë, deputetët nga radhët e opozitës kanë bllokuar foltoren duke kërkuar që të ndërpritet kjo seancë.
Abelard Tahiri, nga radhët e PDK-së ka ndërpritur vazhdimin e seancës duke këputur mikrofonin.
Kundërshtimet e opozitës
Nga radhët e opozitës, Rashit Qalaj, nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), ka thënë që mbledhje normale ky kuvend nuk do të ketë, derisa të trajtohen veteranët e UÇK-së, në mënyrë të dinjitetshme.
Ai ka thënë që kjo seancë nuk do lejohet të mbahet.
“Vendin nuk e kemi këtu, e kemi me veteranët, duhet t’i përkrahim, kjo seancë nuk do mbahet dhe nuk do lejohet të mbahet”, ka thënë Qalaj.
“A thua i paskemi harruar të gjithë ata që lanë gjymtyrët për këtë vend?”, ka shtuar Qalaj.
Ndërsa, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), ka thënë që protesta e veteranëve po ndodhë për gabime të Qeverisë, sepse sipas tij kjo Qeveri nuk ka realizuar dialog social, dhe nuk është koordinuar me veteranët e luftës për këtë situatë.
“Është e pandershme dhe e padinjitetshme të trajtohen në këtë mënyrë veteranët të cilët kanë dhënë jetën për këtë vend”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, Qeveria duhet të fillojë koordinimin me veteranët e luftës për kategorizim të tyre, që të marrin një pagë të dinjitetshme, duke fituar beneficione të luftës.
“Të dashur veteranë që jeni jashtë Kuvendit, duhet të gjejmë zgjidhje, nuk dëshirojmë që kjo temë të politizohet, prandaj duhet urgjentisht të fillojë dialogu social për këtë kategori”, ka shtuar Gashi.
“Të kisha propozu që me dal para veteranëve e ti mbështetësh, kështu t’a kërkon kontributi familjar”, i ka thënë Time Kadrijaj nga radhët e AAK-së Gani Krasniqit.
Tutje, ajo ka thënë se nuk kishte menduar se një protestë sikur e sotmja do të ndodhte ndonjëherë e aq më pak, që një qeveri sikurse ajo e Kurtit do të votonte kundër kërkesave legjitime të veteranëve.
“Marre kryeministër, masi ke gjetë kohë me ardh para deputetëve duhet të dalësh para veteranëve”, ka thënë ajo gjersa i ka thënë Kurtit se ky i fundit i ka detyruar veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të kërkojnë lëmoshë për një të drejtë ligjitime që ua siguron Kushtetuta e Kosovës dhe kontributi i tyre.
Tutje, ajo ka këshilluar Kryeministrin Kurti dhe Ministrin e Financave, Hekuran Murati që të fillojnë bisedimet duke shmangur gjendjen kaotike të cilën, ajo thotë që ata veçse e kan sjellë.
Ndërsa, seanca është shtyer deri në ora 13:00.