“Nëse i referohemi situatës me ndërtimin e çerdheve të reja, nëse e shohim në përqindje, çerdhet e reja gjatë periudhës trevjeçare të qeverisjes janë për 850 për qind më shumë sesa që janë realizuar gjatë periudhës 2003-2020… Është shifër reale. 850 për qind është 850 për qind më shumë. 100 për qind, 200 për qind, 300 për qind, 400 për qind… 850 për qind”.
“Propagande dhe mashtrim” po cilësohet nga opozita kjo deklaratë e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, thënë në një intervistë në KTV.
Sipas nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, Qeveria Kurti vetëm në “propagandë dhe mashtrim” merr notë kaluese.
“Me 4 çerdhe të ndërtuara gjatë mandatit të qeverisë Kurti, edhe një 3-vjeçar me njohuri bazike të matematikës, do ta dinte që deklarata e ministres Nagavci është e pasaktë. Është mashtrim. Është përpjekje delitanteske për manipulim. Në fakt, propaganda dhe mashtrimi është fusha e vetme ku kjo qeveri merr notë kaluese”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Kurse për deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, ministrja Arsimit po “i bën kërrsh përqindjet”
“Këta a janë analfabetë funksionalë apo na trajtojnë të gjithëve si të tillë?!
Ministrja Nagavci paska thënë më KTV se gjatë mandatit të saj janë ndërtuar 850% me shumë çerdhe se në gjatë viteve 2003-2020, sipas saj, i bie që prej vitit 2003 deri në vitin 2020 në Kosovë është ndërtuar një gjysmëçerdhe, kjo mandej e ka rritur numrin për 850%, pra prej 1/2 tash janë bë 4.
Për besë s’di njeri a me qeshë a me qajtë. 160 çerdhe i kanë premtu brenda mandatit”, ka shkruar Bajrami në Facebook.