Partitë opozitare kanë kritikuar vendimin e Qeverisë për mospublikimin e shumës së mjeteve të grumbulluara për Fondin e Sigurisë.
Që ng hapja e Fondit të Sigurisë së Kosovës, nuk ka asnjë të dhënë publike se sa është shuma e mbledhur në të cilën ka qenë e mundur të kontribojnë vendi dhe diaspora. Të dhënat e vetme janë disa publikime individuale.
Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë që detajet për mjetet e grumbulluara janë konfidenciale.
“Duke u mbështetur në vlerësimet profesionale që marrin parasysh sigurinë kombëtare dhe në pajtim me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, të dhënat dhe detajet e tjera për shumën e mjeteve të grumbulluara në Fondin e Sigurisë janë të klasifikuara si konfidenciale. Ne i sigurojmë qytetarët se mjetet do të menaxhohen me përgjegjshmëri të lartë dhe do të shpenzohen vetëm për qëllimin për të cilin është krijuar Fondi”, ka thënë Kelmendi, e cila ka ftuar qytetarët të vazhdojnë të kontribojnë në këtë fond.
Drizan Shala, eksperti i sigurisë e ka ciësuar si jo të duhur mbajtjen sekret të shumës së këtij fondi
“Ky fond është i klasifikuar si top-sekret nga Qeveria. Mendoj se ky nuk është veprim i duhur, sepse mbi të gjitha është një fond publik. Kjo është shumë shqetësuese për sa i përket aspektit të mundshëm të keqpërdorimit të këtij fondi, sepse siç dihet, nuk është i precizuar kryesisht për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, por është edhe aspekti i emergjencave civile. E kjo lë hapësirë që ky fond të mundë të përdoret edhe për ndonjë poen politik”, ka thënë Shala.
Shala ka thënë se themelimi i fondit me ligj nga Kuvendi do ishte veprim më i duhur. Të njëjtën mendon edhe Hisen Berisha, deputeti i PDK-së dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Berisha ka shprehur dyshimin mbi përdorimin e këtij fondi.
“Është tejet e panevojshme të fshihen parat që qytetarët i japin për ushtrinë e vet. Sepse, shikoni, vendimi është manipulues, më së paku këto para kanë për të shkuar për ushtrinë. Lexojeni vendimin me kujdes! Thuhet se mjetet mund të destinohen edhe në fusha të tjera ku qeveria e vlerëson të nevojshme t’i fusë. Karremi ka qenë mashtrues, se po jepen për FSK-në. Pra, është çështje e kamuflimit, e joshjes, sepse ku ka shqiptar që nuk jep për ushtrinë e vet”, ka thënë Berisha.
Fondi për Sigurinë është hapur më 1 mars, ndërsa Qeveria e Kosovës ka thënë se mjetet e grumbulluara do të konsiderohen si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes.