Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pasi opozita ishte “ankuar” se Kosova nuk është bërë pjesë e Programit të Evropës Digjitale të BE-së.
Murati ka thënë se është e njëjta opozitë që me muaj të tërë po mban të bllokuara marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, pa asnjë arsye të vlefshme, duke shtuar se janë gjithsej afro 150 milionë euro të bllokuara nga opozita.
“- 25 milionë euro marrëveshja me KfW për investime në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike; – 84 milionë euro projekti i Ngrohjes Qendrore Solare, i financuar me grante nga Gjermania, grante nga BE, dhe kredi nga BERZH. – 40 milionë USD marrëveshja me Fondin Zhvillimor të OPEC, mjete që planifikojmë t’i investojmë në infrastrukturë sportive, për t’u bërë gati për Lojërat Mesdhetare”, ka shkruar ministri i Financave, Hekuran Murati.
Në Programin e Evropës Digjitale të BE-së në këtë vit morën pjesë të gjitha vendet e rajonit, duke përjashtuar Kosovën.
Lishur me këtë ka reaguar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se po iu bëhen sanksione Kosovës dhe “avancim për Serbinë”.
“Teksa ne humbasim nga programi 7.5 miliardësh për zhvillim dixhital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj. Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani”, ka shkruar i pari i LDK-së.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se është dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale të BE-së.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka kërkuar që Qeveria Kurti 2 të jep shpjegime pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale, ndërsa shtete tjera në rajon janë përfshirë në këtë program.
“Le t’i tregoj Qeveria sot gjithë sektorit digjital të Kosovës, pse Kosova nuk është pjesë e Programit të Europës Digjitale në vlerë prej 7,5 miliard euro, ndërkaq Shqipëria, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut po”, ka shkruar ajo.
Sipas saj rinia e Kosovës e ka merituar që të jetë pjesë e këtij programi më shumë se çdo kush tjetër.
“Kosova s’ka shumë që u përzgjodh si TechHub i Ballkanit për shkak të kapaciteteve të jashtëzakonshme të rinisë tonë. E para në rajon dhe e 11-ta në Evropë. E merituam më shumë se kushdo në rajon”, ka shkruar ajo.
Lajmin për pezullimin e Kosovës në këtë program për Dukagjinin e ka konfirmuar Ministria e Ekonomisë.
“Sipas njoftimit të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet, Përmbajtjen dhe Teknologjinë e Komunikimeve, data e nënshkrimit të marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian është shtyrë”, ka thënë Ministria e Ekonomisë për RTV Dukagjinin.
Ministria nuk ka dhënë detaje për arsyet e shtyrjes së nënshkrimit.