Shkuarja e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për të diskutuar rreth Asociacionit e ka bërë atë shënjestër të kritikave nga opozita.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se konvertimi i Kurtit nga kundërshtues i Asociacionit në adaptues të tij, e bën atë jo konsistent dhe të vështirë për të krijuar pritje prej tij.
Haziri kritikon Kurtin për mostransparencë dhe krijim të qëllimshëm të paqartësive rreth Asociacionit.
Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së ka thënë se “Kjo është jo konsistenca dhe problemi kryesor që kryeministri ka shitur mjegull dhe po vazhdon me prodhu mjegull lidhur me këtë çështje, në vend që të dalë dhe të sqarojë cilat janë kompromiset, pse kanë ndodhur këto kompromise dhe si pasojë e çkahit ne do të organizojmë në mënyrë asimetrike 4 komunat e veriut dhe vetëmenaxhimin tani më të komunitetit serb në Kosovë, ai po vazhdon të deklarohet me qëndrime të ndryshme”.
Me qëndrimet e Kurtit nuk shprehet e befasuar AAK-ja. Por, tani sipas deputetes Time Kadrijaj ai duhet të kujdeset që Asociacioni mos ta rrezikojë funksionimin e shtetit.
Time Kadrijaj, deputete e AAK-së ka thënë se “Ka thyer rregulla, ka thyer parime me të cilat ka ardhur dhe të shohim. Sot diskutohet drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Z. Kurti duhet të jetë i vëmendshëm, duhet të jetë këmbëngulës që mos të cenohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës, mos të ketë pushtet të tretë dhe mos të ketë kompetenca ekzekutive”.
Drafti i Asociacionit i prezantuar në takimin e së martës është hartuar nga Ekipi Menaxhues përbërjen e të cilin nuk e ka zgjedhur Qeveria Kurti, por është trashëguar nga qeveritë e kaluara.
Kryeministri ka shprehur vazhdimisht dilema rreth legjitimitetit të këtij ekipi.