Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, njëherësh kryetari i Komisionit për Ekonomi, në lidhje me projektligjin për caktimin e çmimeve tavan për produktet bazë ka thënë se ky projektligj është më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm.
Sipas Shalës, në këtë projektligj është ndërhyrë ligjërisht dhe është në kundërshtim me parimet e tregut të lirë.

Ai ka thënë se duhet të ketë mekanizma që e vlerësojnë destabilizimin në treg dhe të ketë një sqarim ligjor, pastaj të dalë në diskutim publik.
Ai ka theksuar se PDK-ja nuk e mbështet këtë projektligj.
Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se me vendosjen e çmimeve tavan do të bëhet ndërhyrja te bizneset e vogla.

“Do të përfitojnë vetëm bizneset e mëdha, e do të humbasin bizneset e vogla”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ligjet duhet të jenë në pajtueshmëri të plotë me kushtetutën, e që sipas saj ky projektligj është në kundërshtim me kushtetutën.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë po ashtu se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Ky projektligj ka nevojë për ndryshime substanciale, që të jetë i përshtatshëm për tregun e Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky projektligj dëmton interesat e kompanive tregtare në Kosovë dhe dëmton ekonominë e lirë të tregut.