Partitë opozitare, si Partia Demokratike e Kosovës [PDK], Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK] kanë lëshuar seancën plenare, ku në rend dite është projektbuxheti për vitin 2025.
Ndryshe, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka kërkuar që projektligji për Buxhetin të mos vihet fare në votim në lexim të dytë.
“Tashmë kanë dalë një mori e planifikimeve kriminale duke filluar nga Ministria e Bujqësisë që janë planifikuar nga viti 2023 për vitin 2024 dhe fatkeqësisht ato projekte do të vazhdojnë edhe për vitin 2025. Votimi i këtij projektbuxheti do të thotë mbështetje e një planifikimi kriminal mbi ato subvencione dhe grante që janë të planifikuara dhe tashmë kanë filluar t’i marrin paratë pikërisht ata njerëz që janë të involvuar në këto skema kriminale dhe votimi i këtij buxheti do të thotë mbështetje e këtyre skemave kriminale”, ka thënë Tahiri.
Ai e ka quajtur atë “buxhet të kontaminuar”.
Tahiri tha se projektbuxheti për vitin 2025 duhet ti nënshtrohet një diskutimi të thellë por jo në afate të përshpejtuara dhe procedura të shkurtuara.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se nuk do ta dërgojnë Ligjin për Buxhetin në Kushtetuese, por kërkoi nga presidentja Osmani që të garantojë që ligji të kthehet në kuvend dhe t’i plotësojë kriteret e duhura.
Gashi në foltoren e Kuvendit tha se me ligjin për Ndarjet Buxhetore që është ligj i karakterit vjetor tentohet që të ndryshohet ligji për pagat e zyrtarëve publikë dhe po ashtu tentohet të ndryshohet ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme
“Hedhja në votim e shkurtimit të afateve dhe procedurave për trajtimin në shqyrtim të dytë dhe trajtimin në Komisionet për Projektligjin për Ndarjet buxhetore nuk ka qenë në rend të ditës dhe kjo ka kufizuar të drejtat dhe mundësitë e deputetëve që të japin mendimet dhe vlerësimet e tyre. Pra kjo është një shkelje e rëndë kushtetuese duke u pamundësuar deputetëve që të bëjnë amandamente dhe propozime sepse janë lënë vetëm 2 ditë kohë për të bërë amandamente në projektligjin për ndarjet buxhetore. Problemi i dytë që është vërejtur dhe diskutuar dhe që mbetet problem i cili është konstatuar edhe me këshillën juridike që e ka dhënë këshilltari juridik në kuvendi është në dy pika tjera që kanë të bëjnë me Ligjin për Ndarjet Buxhetore. Me ligjin për Ndarjet Buxhetore që është ligj i karakterit vjetor tentohet që të ndryshohet ligji për pagat e zyrtarëve publikë dhe po ashtu tentohet të ndryshohet ligji për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Të trija këto përbëjnë shkelje kushtetuese, dy të fundit përbëjnë kolizion me ligjet e tjera, pra përplasje me ligjet tjera ku për këto raste ka vendim dhe interpretim të Gjykatës Kushtetuese. Të paktën në dy raste Gjykata Kushtetuese ka gjykuar dhe ka vendosur se nuk mundet një ligj i karakterit të përkohshëm ose një ligj tjetër ta ndryshojë një ligj bazik. Në këtë rast ligji i buxhetit i kufizuar në kohë nuk mund të ndryshojë ligjin për pagat e zyrtarëve publikë sepse vetë ligji nuk ia ka dhënë këtë të drejtë. Ligji ia ka dhënë të drejtën qeverisë që nëpërmjet ligjit për buxhetin të rrisë vlerën e koeficientit por jo të ndryshojë hierarkinë e koeficientëve dhe po ashtu ligji për tatimin në pronën e paluajtshme. Prandaj vlerësoj se këto janë shkelje të rënda, dhe sidomos heqja e mundësisë së deputetëve për tu shprehur lidhur me buxhetin, unë i kam bërë dy amendamente që as nuk janë trajtuar në komisione sepse janë konsideruar të pas-afatshme. Afati i vendosur është afat i paligjshëm sepse nuk ka qenë në rend dite në diskutim”, ka thënë Gashi në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se kush do që do ta votoj këtë buxhet do të jetë i turpëruar, kjo pasi sipas tij, shqyrtimi i buxhetit është bërë në mënyrë të përshpejtuar, si dhe duke e ngulfatur mundësin e deputetëve që të marrin pjesë të diskutojnë e të kontribuojnë në hartimin e tij.
Ai kërkoi sqarim në lidhje me kërkesat të cilat sipas tij nuk janë trajtuar nga organizatat buxhetore.
“Procedura se si ka ardhur buxheti i vitit 2025 në lexim të dytë është procedura e cila do ta turpëroj përgjithnjë në jetën parlamentare shumicën. Seanca kundërligjshme u fut në rend dite, me procedurë të përshpejtuar duke e ngulfatur mundësin e deputetëve që të marrin pjesë të diskutojnë, si dhe të kontribuojnë në hartimin e buxhetit të shtetit. Është një moment që do të turpëroj të gjithë ata që votojnë këtë ligj për shkak se ju ka pamundësuar secilës organizatë buxhetore që të diskutohet”, tha ai.