Opozita ka lëshuar seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk pati kuorum për kthimin në rishqyrtim të tri projektligjeve për të cilat ata kërkuan që të largohen nga rendi i ditës dhe të rishqyrtohen.
Bëhet fjalë për projektligjet për Zyrtarët Publikë, Këshillin e Pavarur të Mediave dhe Këshillin Prokurorial.
Opozita ka kërkuar që Ligji për Zyrtarët Publikë, ai për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës të kthehen për shqyrtim në Komision dhe të largohen nga rendi i ditës, pasi dje BE-ja tha se për këto projektligje janë shpërfillur rekomandimet që i kanë ofruar.
Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka propozuar që këto projektligje të largohen nga rendi i ditës dhe të kthehen për rishqyrtim.
Njësoj kanë propozuar edhe Abelard Tahiri nga PDK-ja dhe Pal Lekaj nga AAK-ja.
Ndryshe, dje BE-ja ka thënë se projektligjet për Zyrtarët Publikë, Këshillin e Pavarur të Mediave dhe Këshillin Prokurorial nuk janë në harmoni me rekomandimet që i ka dhënë tash e një kohë.
“Veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil”, thuhej në reagimin e BE-së të mërkurën.
Edhe për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, Zyra e BE-së kishte brenga për disa çështje, si për financimin e KPM-së dhe për mandatin e anëtarëve.
“Versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve”, thuhet tutje në reagim.
E për Projektligjin për Këshillin Prokurorial ka kërkuar që institucionet t’i drejtohen edhe një herë Komisionit të Venecias.