Një ditë pasi hoqi dorë nga udhëheqja e Ministrisë së Shëndetësisë, kritikat në drejtim të tij ende nuk janë ndalur.
Janë anëtarët e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë të cilët po e cilësojnë si dështim total, punën e tij 11 mujore në krye të kësaj Ministrie.
Madje, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se Latifi ka pasur vetëm titullin ministër, ndërsa udhëheqjen e Ministrisë e kanë bërë grupet të tjera.
“Latifi ka qenë vetëm emër në Ministri, sepse atë nuk e ka pyet askush asgjë, shëndetësia në Kosovë po udhëhiqet nga grupet e interesit brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ka pasur në të kaluarën konflikte të Latifit me Sekretarin dhe konflikte të tjera të tij me Bordin dhe së fundmi ishte edhe një marrëveshje e ish-ministrit me Federatën e Punëtorëve Shëndetësor, duket se kjo ka qenë prej arsyejeve dhe ka dhënë dorëheqje”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkohë, Shemsedin Dreshaj nga AAK, thotë se Latifit ia mori kompetencat Kryeministri Kurti nga duart.
“Gjatë këtyre 11 muaj, ka munguar performanca e Minsitrit Latifi, si në aspektin ekzekutiv ashtu edhe organizativ dhe një doreheqje e tij nga posti i ministrit ka qenë e pritshme, unë kam prit shumë ma herët që Latifi të dorëhiqet në momentin kur Kryeministri mori përgjegjësit e organizimit dhe riorganizimit të shëndetësisë përmes Komisionit”, ka thënë Dreshaj.

Kurse nga LDK, kritikat për menaxhimin e sektorit të Shëndetësisë, i drejtojnë tek Kurti.
“Kanë kaluar 18 muaj nga puna e kësaj qeverie, ku tri ministra deri tani, përfshirë Kurtin e kanë udhëhequr MSH. I pari ka qenë më i dobët se i dyti, kurse i treti, Kurti, është më i dobët se i dyti dhe i pari. Dorëheqja e Latifit vjen si pasojë e dy faktorëve, dështimi i Kurtit si kryeministër dhe dështimi i Kurtit si ministër i shëndetësisë”, ka thënë Zemaj.

Kryeministri, Albin Kurti, e ka emëruar zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjakun, si ushtruese detyre të ministres, pas dorëheqjes se Rifat Latifi, të cilin e ka takuar gjatë ditës pa dhënë detaje për arsyet që çuan në dorëheqjen e tij.