Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Ditën Botërore të Lirisë së Shprehjes, ka thënë se kjo ditë është një thirrje për qeverinë që të hapet dhe të rritet transparenca dhe llogaridhënia.
Me anë të një postimi në Facebook, kreu i PDK-së, ka theksuar se media e lirë dhe e pavarur duhet të mbetet ndër mekanizmat kryesorë për jetësimin e një demokracie funksionale dhe të shëndetshme.
“Fyerjet, kërcënimet, linçimet e shantazhet në drejtim të mediave dhe gazetarëve, ashtu siç, fatkeqësisht, kemi parë e dëgjuar disa herë gjatë kësaj qeverisjeje, nuk duhet të ndodhin kurrë e aq më pak nga ana e institucioneve e zyrtarëve publikë të shtetit”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, demokracia e një vendi, shumë herë dhe më të drejtë, matet me nivelin e lirisë së shtypit që ekziston në atë vend.
“Prandaj, sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, e gjithë shoqëria jonë duhet të jetë e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për rëndësinë që mediat kanë në jetën publike”, shtoi ai.
Ndërkaq, për zëdhënësen politike dhe njëkohësisht anëtaren e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, mediat e gazetarët në Kosovë, fatkeqësisht çdo ditë përballen me mjedis armiqësor, sulme e kërcënime.
Ajo, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se ky fakt bëhet akoma më shqetësues kur sulmet vijnë nga pushteti.
“Organizatat ndërkombëtare si dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë ngritur shqetësimet e tyre rreth lirisë së shtypit në Kosovë, duke potencuar se gazetarët po përballen me kërcënime e frikësim gjatë ushtrimit të punës së tyre”, ka shkruar ajo.
Halimi ka theksuar se duhet një angazhim i fuqishëm në respektimin dhe vlerësimin e kësaj lirie, si një nga shtyllat kryesore për një demokraci të mirëfilltë.
“Ditët si kjo t`na shërbejnë si çast reflektimi për krijimin e sigurisë së gazetarëve e ngritjen e vetëdijes së të gjithëve karshi rolit të rëndësishëm që kanë gazetarët në vendin tonë”, shtoi ajo.
Ndërkaq, për kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, liria e shtypit është e drejtë përmes të cilës mund të dallohen konturat e një shoqërie.
Sipas tij, mohimi i kësaj të drejte çdo herë është politike, pavarësisht motivit.
“Sot gazetari është aktivist me dy punë të përditshme, që mishërohen, krijimi i përmbajtjes së tregimit që shkruan dhe mbrojtja e tij nga sulmet e pushtetit që na shtrohen si e vërteta e vetme. Çdo gjë jashta saj mund të shihet si përkundër (lexo: e rreme)”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Ai ka theksuar se qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpikur pozicionin e “zyrtarit për/kundër fake news”.
“Kur sukseset mungojnë, duhet kontrolluar sesi flitet për to. Kështu shkruhet versioni zyrtar i historisë, përderisa jashta saj mbesin të vërtetat e saj”, shtoi Molliqaj.
Në postimin e tij, ai ka bashkangjitur edhe një fotografi të një kërkese nga portali “Demokracia”, i cili ka publikuar një e-mail të zyrtarit përgjegjës për komunikim me publikun, Flamur Salihu, ku ai kërkon themelimin e një funksioni “zyrtar për Fake Neës”.
“Ju lutem që të caktoni nga një zyrtar/e nga zyra e juaj përgjegjës për të trajtuar fushatat dezinformuese (apo Fake News). Zyrtari/ja duhet ta ketë të përhershme dhe primare këtë detyrë. Në proces do të punojmë së bashku që të hartojmë përshkrimet e sakta të përgjegjësive dhe rutinës”, thuhet në shkrim.
“Nëse aktualisht nuk keni zyrtar/e në dispozicion për këtë përgjegjësi, e vendosni një person përkohësisht dhe pastaj këtë çështje e trajtoni me sekretarët brenda institucionit tuaj në mënyrë që në periudhën e rishikim të buxhetit të plotësohet kjo pozitë”, kishte shkruar Salihu në një e-mail të tij.
Ndryshe, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në Ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, ka thënë se mediat duhet të jenë të lira dhe të gëzojnë sigurinë e lirinë e shprehjes.
Përmes një komunikate për media, Szonyog ka thënë se çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë ai në internet, verbal apo fizik, është i turpshëm dhe duhet dënuar.
Szunyog: Mediat në Kosovë duhet të jenë të lira e të gëzojnë sigurinë dhe lirinë e shprehjes