Me konstituimin e strukturave të reja në Bashkimin Evropian, ka optimizëm se do të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe njohësit e integrimeve evropiane, presin që masat të hiqen në muajt në vijim dhe të ndryshohet qasja e BE-së ndaj Kosovës.
Mirëpo në Bashkimin Evropian nuk u përgjigjën nëse do të ketë vendimmarrje nga ministrat e punëve të jashtme të unionin pas vendosjes së estabilishmentit të ri.
Në anën tjetër, në partinë opozitare Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, janë më skeptik për largimin e masave, derisa thonë se Kosova mund të rrezikojë edhe fondet e BE-së, gjatë vitit 2025 për shkak të masave.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se masat duhet të largohen sa më parë, pasi si të tilla kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta.
Ajo thotë se pret që pas vendosjes së strukturave të reja të BE-së, pas zgjedhjeve të fundit atje, të ketë vendimmarrje pozitive për largimin e masave, si dhe të ndryshojë qasja, siç e quan ajo diskriminuese ndaj Kosovës.
Megjithëse thotë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, shpreh brengën, siç thotë të vazhdimit të masave për shkak të veprimeve të pakoordinuara në veri.
Ndërkaq, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se BE-ja mund t’i heq masat ndaj Kosovës, mirëpo me një zotim për depërshakllëzim të plotë në veri, integrim të komunitetit serb, si dhe zbatim të obligimeve të dala nga dialogu i Brukselit.
Gjatë muajit qershor të këtij viti, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u rekomandoi shteteve anëtare që të heqin masat ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo pavarësisht kësaj ende s’ka një vendim pozitiv për vendin.
BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veri./KosovaPress