Shumë takime, diskutime e deklarata të ashpra publike u bën kohëve të fundit për çështjen e targave ilegale serbe por atyre u erdhi fundi të mërkurën vonë në mbrëmje.
Takimi rreth shtatë orësh i kryenegociatorit kosovar, Besnik Bislimi në kryeqendrën evropiane me homologun e tij serb, Petar Pekotviq dhe ndërmjetësin Miroslav Lajçak ka rezultuar pozitiv me marrëveshje mes palëve.
Por, detaje se çfarë ndodhi brenda dhomës së diskutimit dha zëdhënësit i BE-së, Peter Stano.
“Nuk është fundi i procesit. Marrëveshja e arritur është vetëm fillim i punës, me të cilën shpresojmë ta largojmë këtë gjendje të marrjes së vazhdueshme me krize e të kalojmë në një fazë tjetër, të merremi me çështje më të qëndrueshme. Është me rëndësi të respektohen marrëveshjet e arritura në dialog, është mesazh që BE-ja vazhdimisht u ka dërguar të dyja palëve”, ka thënë Stano.
Pos kësaj, është konfirmuar se në Bruksel së shpejti pritet të ftohen përsëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Sa i përket hapave të ardhshëm, pas marrëveshjes që është bërë mbrëmë, është me rëndësi të vazhdohet. Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ka thënë se do të ftojë dy liderët në Bruksel, të punojnë e të vazhdojnë punën për normalizim të marrëdhënieve. Sigurisht puna vazhdon. Emisari Miroslav Lajçak po punon shumë, ditë e natë, për të përparuar drejt një marrëveshje. Përfaqësuesi i Lartë, fton dy liderët së shpejti në Bruksel për të vazhduar në marrëveshjen që është arritur dhe të diskutohet në pikëpamje më të madhe. E ajo është drejt normalizimit të marrëdhënieve, bazuar në propozimin e lehtësuesit BE-së”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, për takimin i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit optimizëm ka edhe në Kosovë, në mënyrë që të vazhdohet për diskutime për dokumentin franko-gjerman.
“Marrëveshja e arritur gjatë së mërkurës në Bruksel për dikë është vetëm dramë, e cila do të mund të arrihej pa tërë këtë zhurmë”, është shprehur Ymeri.
“Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim që të mos të prodhohen më targat ilegale e që Kosova të pezullojë të gjitha veprimet sa i përket të njëjtave”, ka potencuar Muhaxhiri.