Pas publikimit të Raportit të Progresit, ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se progresi në fushat kyçe mbetet i kufizuar.
Lidhur me dialogun Kosovë – Serbi, Orav u ka bërë thirrje të dyja vendeve të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat sipas tij, janë thelbësore për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Në fushën e mjedisit kemi vetëm përparim të kufizuar, sa i përket marrëdhënieve fqinjësore Kosova dhe Serbia duhet të implementojnë detyrimet e ndërsjella që rrjedhin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksit përkatës që është pjesë e shtegut drejt BE-së”, ka theksuar ai.
Lidhur me masat e BE-së ndaj Kosovës, Orav ka theksuar se përfaqësuesi i lartë Josep Borrell ka propozuar heqjen e tyre, mirëpo kjo do të realizohet vetëm me veprime konkrete nga Kosova.
Po ashtu, ai ka thënë se nevojitet konsensus për heqjen e masave ndaj Kosovës.
“Sfidë tjetër për Kosovën janë masat e BE-së që janë ende në fuqi, përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell ka rekomanduar heqjen e masave dhe diskutimet po vazhdojnë në nivel të Këshillit për këtë. Ne besojmë se Kosova do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në mënyrë që vendet anëtare të dakordohen se bashku për t’i hequr këto masa”, ka deklaruar ambasadori Orav.
“Sa i përket heqjes së masave së pari ka nevojë për konsensus por edhe për vendosjen e masave duhet konsensus”, ka shtuar ai.
Orav ka thënë se përparimi në fusha si reforma në administratë, lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i gjyqësorit është gjithashtu thelbësor për të rritur besimin e BE-së në përgatitjet e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Kemi progres të kufizuar në fushat që do të ia mundësonin Kosovës që t’i bëj ballë presionit të konkurueshmërisë në BE, sa i përket krahut të punës, investimeve në sektorin privat dhe në arsim. Po ashtu, Kuvendi është ballafaquar me sfida në ekzekutimin e kompetencave të veta me procese komplekse siç është zgjerimi, të gjitha palët duhet t’i lënë mënjanë dallimet e vat në mënyrë që të zbatohen ligjet që lidhen agjendën e BE-së nëse në të vërtetë kemi zotim të mirëfilltë në integrimin në BE”, ka deklaruar ai.
“Progresi i reformave në administratën publike është i kufizuar, Kosova ka nevojë për një administratë publike e cila është e zonja të impelmetnojë legjislacionin e BE-së. Përmirësimi i cilësisë dhe efikasiteti të punës së gjyqësorit në përputhje me standardin e BE-së është po ashtu prioritet. Kosova ka arritur progres të kufizuar në këtë drejtim dhe në përshkallëzimin e luftës kundër korrupsionit”, ka deklaruar ambasadori Orav.