Organizata për ngritjen e cilësisë në arsim (ORCA) ka kritikuar vendimin e Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës për vendimin kundrejt profesorëve universitarë Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.
Sipas tyre, Këshilli i Etikës do të duhej të merrte vendim që këta profesorë të përjashtohen nga detyra e tyre në Universitet dhe t’i largohet titulli akademik, pasi sipas tyre, këta të fundit janë plagjiatorë.
Gjatë ditës, ORCA po shpërndan fletushka që edhe qytetarët e vendit ta kuptojnë vendimin, sipas tyre, të padrejtë të Këshillit të Etikës.
Më 22 qershor të këtij viti, Këshilli i Etikës për shkak se kishin përdorur plagjiaturë në punimet e tyre, i kishte dënuar profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastratit.
Në vendimin e tyre thuhej se, Dugollit i ndalohej përfshirja e mentorimit të studentëve në ciklin e nivelit master dhe të doktoratës në UP, për dy vjet. Kjo masë, sipas vendimit, vlen vetëm për kandidatët e rinj dhe jo për ata të cilët tanimë janë në mentorim.
Kurse kolegut të tij, Ardian Kastratit, i është ndaluar mentorimi për tre vjet.