Organizatat për lirinë e medias i shkruajnë Kurtit për drejtorin e ri të RTK-së

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe katër organizata të tjera që kanë të bëjnë me lirinë e medias i kanë shkruar një letër kryeministrit Albin Kurti për procesin e emërimit të Rilind Gërvalles si drejtor të ri të RTK-së. Ata janë shprehur të shqetësuar për një vendim të tillë dhe kanë thënë se liria e shtypit është jetike dhe nuk mund të minohet

Ilustrim

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe katër organizata për lirinë e medias i kanë dërguar letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për procesin e emërimit në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Ata kanë shprehur shqetësimin për emërimin e drejtorit të ri, Rilind Gërvalla.

Në letër janë përmendur standardet e Këshillit të Evropës për këtë proces, në të cilat thuhet se emërimet nuk mund të përdoren për të ushtruar ndikim politik ose ndikim tjetër mbi funksionimin e medias së shërbimit publik, si dhe individët e emëruar në pozitat drejtuese brenda transmetuesve të shërbimit publik duhet të jenë plotësisht të pavarur nga të gjitha partitë politike dhe interesat e veta.

Megjithatë, në letër thuhet se vërehet që lajmet e shumta të publikuara nga mediat në Kosovë kanë treguar lidhje të qarta mes Gërvallës dhe Vetëvendosjes.

“Organizatat tona besojnë se këto lidhje vënë në pikëpyetje integritetin e procesit dhe rrezikojnë të minojnë më tej besimin e publikut në autonominë politike të transmetuesit”, thuhet në letër.

Instituti, ndër të tjera, ka thënë se kanë monitoruar zhvillimet në transmetuesin publik që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, dhe se ka vërejtur “përparimin e lavdërueshëm të bërë gjatë administratës suaj në mbikëqyrjen e depolitizimit të RTK-së dhe strukturave të saj menaxhuese pas dekadave të kontrollit shtetëror, përfshirë këtu edhe vendimet e fundit menaxheriale të marra nga Bordi”.

“Është jetike që ky përparim i arritur me vështirësi, i udhëhequr nga partia juaj, të mos minohet. Besojmë se për sa kohë që Gërvalla shërben si drejtor i televizionit, nuk do t’ju lejojë ju dhe partisë suaj që të vazhdoni depolitizimin dhe reformën në transmetuesin publik”, thuhet në letrën e drejtuar për Kurtin.

Ndërkaq, instituti ka sugjeruar që të organizohet proces i ri rekrutimi dhe emërimi për të siguruar që pozicioni të plotësohet nga një kandidat profesionist, pa lidhje me qeverinë apo ndonjë parti politike.

Po ashtu, instituti bashkë me organizatat e tjera kanë shprehur shqetësimin edhe për shkurtimin vjetor të financimit të vendosur për RTK-në nga qeveria.

Organizatat e përfshira në letër janë, Article 19 Europe, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Reporterët Pa Kufij.

Edhe përmes një postimi në Twitter ka reaguar Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, ku ka shprehur shqetësimet për emërimin e drejtorit në televizionin publik të Kosovës.

Sipas këtij Instituti, liria e shtypit për RTK-në është jetike dhe nuk duhet të minohet.

“Progresi i fituar me vështirësi në reformimin demokratik të transmetuesit publik. RTK është jetik për lirinë e shtypit dhe nuk duhet të minohet. IPI rinovon sot shqetësimet tona për procesin e fundit të emërimit për drejtor të ri të televizionit, pas zgjedhjes së djeshme nga bordi”, thuhet në postimin e këtij Instituti.

 

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika