Organizatat për Mbrojtjen e Fëmijëve me letër për Qeverinë: Shërbimet sociale rrezikojnë të mbyllen në janar

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka kërkuar sigurim të financimit për ofrimin e shërbimeve sociale, pasi, siç thuhet "pasojë e mos mbështetjes financiare nga Qeveria" rrezikojnë të mbyllen nga 1 janari i vitit 2024

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) në një letër të hapur ka kërkuar sigurim të financimit për ofrimin e shërbimeve sociale, të cilat, siç thuhet, janë jetike për fëmijët e cenueshëm, dhe se si “pasojë e mos mbështetjes financiare nga Qeveria” rrezikojnë të mbyllen nga 1 janari i vitit 2024.

Ky koalicion i organizatave, i cili përfaqëson 35 organizata joqeveritare, ka adresuar këtë letër të hapur te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm.

KOMF, përmes letrës, konkretisht ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve sociale dhe ndarjen e një fondi emergjent për periudhën kohore Janar – Prill 2024, deri në hapjen e shpalljes së rregullt nga Ministria e Drejtësisë.

“Shërbimet rezidenciale dhe shërbimet ditore për fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët viktima të abuzimit dhe keqtrajtimit, fëmijët viktima të dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit (niveli i ulët dhe i mesëm i rrezikut), fëmijët me aftësi të kufizuara, etj., financohen pjesërisht nga Ministria Drejtësisë përmes thirrjeve publike çdo vit. Nga viti 2016, ka zbrazëtira kohore mes thirrjeve/kontratave për mbështetje të këtyre shërbimeve duke lënë pa përkrahje financiare këto shërbime çdo fillim vit. Institucionet jo-publike të licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Drejtësisë për ofrimin e shërbimeve. Mbështetja financiare nga Ministria e Drejtësisë ka qenë për periudhën Prill 2023 – Janar 2024 dhe si rrjedhojë shërbimet posedojnë financimin vetëm deri në Janar 2024. Në mungesë të fondeve për mbështetje të mëtutjeshme shërbimet rrezikojnë të mbyllen”, thuhet në thirrjen e tyre.

Aty theksohet se ndërprerja e ofrimit të këtyre shërbimeve, qoftë edhe përkohësisht, do të lërë pa strehë fëmijët viktima të akomoduar aktualisht në strehimore dhe, po ashtu, do të mbyllë derën për rastet e reja që mund të jenë në nevojë për shërbime rezidenciale, duke shkelur kështu të drejtën themelore të fëmijëve për mbrojtje.

Tutje, thuhet se me situatë të njëjtë, do të përballen edhe ofruesit e shërbimeve që ofrojnë shërbime në baza ditore për fëmijët e cenueshëm përmes qendrave ditore.

“Në mungesë të shërbimeve sociale, fëmijët e cenueshëm, e sidomos fëmijët më aftësi të kufizuara do të mbesin të mbyllur në shtëpi dhe do të pësojnë regres në zhvillimin e tyre fizik, psikologjik dhe emocional. Kjo situatë, do të rëndojë edhe gjendjen ekonomike dhe emocionale të familjeve të fëmijëve të cenueshëm, të cilët do të detyrohen që të marrin shërbime me pagesë, në bazë të mundësive të tyre financiare. Krahas mbylljes së shërbimeve, do të pasojë edhe mbyllja e qendrave të specializuara për shërbime ditore, të cilat janë të pajisura me mjete pune, infrastrukturë, staf profesional dhe të licencuar. Poashtu, ky vakum kohor, rrezikon humbjen e stafit profesional në të cilin është investuar ndër vite”.

Për të zgjidhur këtë problematikë të përsëritur ndër vite, KOMF ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për krijimin e një skeme të qëndrueshme për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare.

“Kontraktimi duhet të bëhet në emër të blerjes së shërbimeve për ofrimin e shërbimeve sociale për periudha tre vjeçare në mënyrë që të sigurohet financim i qëndrueshëm dhe të eliminohen zbrazëtitë kohore” teksa kanë apeluar ndërmarrjen e masave të menjëhershme lidhur me situatën e paraqitur.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika