Njëri nga organizatorët e protestës në Shqipëri, Renaldo Salianji, ka thënë se në të mirë e në të keq, populli i Shqipërisë gjendet afër atij të Kosovës, dhe sipas tij, kjo është edhe arsyeja e protestës të së premtes.
Në një lidhje direkte në “Rreth e rrotull”, Salinjani ka thënë se ka qytetarë të Shqipërisë, të cilët nuk pajtohen me qasjen e kryeministrit Rama ndaj Kosovës.
“Kjo protestë është e organizuar nga një grup të rinjsh, një grup miqsh, kolegë gazetarë që e kemi bashkëndarë këto ditë shqetësimin e situatës në Kosovë dhe nuk kemi rënë dakord në qëndrimin e Tiranës zyrtare, të presidentit Rama, të presidentit të Republikës…dhe vendosëm që të tregojmë se ka shqiptar që qëndrojnë, që janë pranë Kosovës në këtë situatë dhe nuk është vetëm qëndrimi i kryeministrit Rama, nuk përfaqëson qëndrimi i tij, qëndrimin e qytetarëve të Shqipërisë, në këtë rast dhe ne duam të tregojmë që dje, sot, nesër dhe përjetë, në të mirë dhe në të keq, ne jemi bashkë, shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë pranë njëri-tjetrit. Kjo ishte arsyeja pse ne vendosëm të bëjmë një protestë për të treguar që ne nuk jemi dakord me qëndrimin e kryeministrit dhe jemi pranë popullit të Kosovës në këtë situatë”, ka thënë ai.
Salianji ka deklaruar se Rama do të duhej të përfaqësonte mendimin e popullit shqiptar kur flet në emër të tijin.
“Vendosëm që të thërrasim përballë Kryeministrisë që t’i japim një mesazh edhe kryeministrit se kur flet në emër të popullit shqiptar, duhet minimalisht të përfaqësojë mendimin e popullit shqiptar”, ka deklaruar ai.
Këtë të premte në orën 19:00, para Kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë, pritet të zhvillohet një protestë në mbështetje të Kosovës.
Kujtojmë se tashmë janë bërë dy ditë nga kidnapimi i tre policëve kosovarë nga forcat serbe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Ata besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin masa për ta zbutur situatën dhe të respektojnë planin trepikësh të paraqitur nga Bashkimi Evropian.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.