“Një këmbë për mikun tim fatkeq”. Ky është titulli që mban shkrimi i një gazete të përditshme në vitin 2005 në Kosovë.
Aty thuhet se në vitet 99-2003, 106 persona kanë vdekur dhe 328 të tjerë janë lënduar nga minat tokësore të vendosura gjatë luftës.
Adresa e vetme në sistemin publik shëndetësor për ata që shpëtojnë të gjallë por pa gjymtyrë është Ortoprotetika në QKUK, klinika në muret e së cilës qëndrojnë të ngjitura faqet e kësaj gazete.
Personi që po kryen këto kontrolle dikur ishte në karrigen e këtij të moshuari.
Për dallim prej tij, Shaip Loshi, pjesën e poshtme të këmbës së majt nuk e kishte humbur në vend të punës por duke luftuar, veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në vitin 2000 pas trajtimit sepse kam qenë pacienti i parë i kësaj qendres, një organizatë që e ka menaxhuar këtë qendër më ka punësuar. Prej vitit 2000 e bëjë prodhimin e mjeteve ortopedik, zakonisht merrem me gjymtyrët e poshtme”, ka thënë Loshi.
Pasi Loshi tregon historinë frymëzuese dhe kryen matjet, nis puna për prodhimin e protezës për këmbët e pacientit.
Kjo është dhoma ku skalitet forma e dalin produktet, të cilat sipas përgjegjësit, janë sipas standardave, por jo sipas dinamikës së jetës.
“Nuk i përmbushin nevojat me ec për shembull gjysmë ore ose një orë me pas ndonjë aktivitet në ambient të hapur në natyrë apo diçka të ngjashme. Në këto raste vërehet mungesa e cilësisë ose protezave që ofrohen këtu. Përndryshe për nevoja elementare i përmbushim kërkesat”, ka thënë përgjegjësi i njësisë së Ortoprotetikës, Haki Krasniqi.
Shumica e invalidëve të luftës, për shkak të dëmtieve në shkallë më të lartë, kanë nevojë për proteza më të sofistikuara.
Kjo kategori nuk ka marrë asnjëherë shërbimë në Ortoprotetikë, por që pritet të ndryshojë me Planin e veprimit për furnizim të qytetarëve me proteza 2023-2025.
Drejtori Lulzim Geci tregon se trajnimi i stafit dhe blerja e materialit do të bëhet krahas ekzaminimit të të gjithë invalidëve, për të parë llojin e materialit të protezës dhe pjesën teknike.
Plani për të cilin flet Geci është miratuar dhe sipas tij është në fazën e zbatimit.
“Prej muajit mars më duket është miratu nga ana e Ministrit të Shëndetësisë, është e paraparë trajnimi i stafit si pika kryesore këtij plani të veprimit trajnimi i stafit, për proteza të cilat faktikisht është inicuar ky planifikim. Trajnimi nuk ka filluar është mungesë e buxhetit, shpresojmë që nëse sigurohen mjetet ka me fillu këtë vit, nëse jo vitin tjetër me buxhet të 2024”, ka thënë Geci.
Mbi 100 invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në pritje për t’i ndërruar protezat e gjymtyrëve të humbura në luftë, ndërsa 17 me nevojë urgjente për ndërhyrje. Sipas Shoqatave të Invalidëve të Luftës me ardhjen e Qeverisë Kurti, nuk është financuar mjekimi i invalidëve.
Nga Zyra e Kreministrit për RTV Dukagjini javën e kaluar kanë deklaruar se po synojnë që këto shërbime të ofrohen në Shërbimin Klinik Orto-protetik, e jo në spitale private, kjo edhe për t’i shmangur mundësitë e keq-përdorimeve të mundshme financiare.