Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në nder të ditëlindjes së heroit legjendar, Adem Jashari, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pranë varrit të tij dhe e të familjarëve, të cilët u flijuan për lirinë e Kosovës.
“I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bën fli për lirinë tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ndër të tjera, e para e vendit ka thënë se komandanti Adem Jashari hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar, veçanërisht, më 28 Nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë gjersa ka shtuar “Një ditë dhe tri data historike”.
“Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë. Ai është i gjallë”, ka vijuar tutje Osmani.
Komandanti legjendar, Adem Jashari, po të ishte gjallë, të hënën e 28 nëntorit, do t’i bënte 67 vjet.
Ai ka lindur po në këtë ditë në vitin 1955, në Prekaz të Skenderajt.
Ndërkaq, sot bëhen 25 vjet që nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
28 Nëntori – ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari