Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, në takim, Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në propozimet të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së BQK-së.
“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetutshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në mes tjerash, Osmani dhe Hovenier kanë diskutuar po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Nga 1 shkurti i këtij viti ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.
Dinarët mund të mbahen në llogari bankare ose të shkëmbehen në euro.
Banka Qendrore e Kosovës ka siguruar se rregullorja e saj nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në euro në bankat e licencuara në Kosovë dhe ka bërë thirrje për hapjen e këtyre llogarive.
Në komunikatën e bërë për media thuhet se “qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë te secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes nga 1 janari 2024”.
Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore.
Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.