Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka një unitet mes Presidencës dhe Qeverisë që çështja e sigurisë së Kosovës dhe çështja e përgjegjësisë së Serbisë të trajtohen si çështje urgjente.
Osmani ka thënë se këto janë çështje urgjente dhe të domosdoshme për të parandaluar aktet e agresionit në të ardhmen.
Presidentja është shprehur se dialogu duhet të ridizajnohet e të merret parasysh sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë tjerë.
“Kemi dakordim të plotë që një gjë e tillë të kërkohet nga të gjithë akterët ndërkombëtarë. Dhe në fakt për këtë ne kemi një mirëkuptim. E dyta i gjithë procesi i dialogut duhet të ridizajnohet, nëse mund ta quaj kështu, në atë mënyrë që merr parasysh 24 shtatorin. Nëse injorohet 24 shtatori, e injorohet shkelja e nenit 3 të marrëveshjes, që kërkon që asnjëra palë të mos e përdorë dhunën si mjet apo të kryej akte agresioni kundër tjetrës, atëherë vërtetë dëmi më i madh i bëhet vetë procesit të dialogut. Dëmi më i madh i bëhet edhe paqes e stabilitetit në rajon, pasi është ftesë e hapur për Serbinë që ta sulmojë Kosovën përsëri”, ka thënë Osmani në një intervistë për “Tempus” të KTV-së, raporton Koha.