Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit të Mbretërisë së Bashkuar, me ftesë të Charles III.
Osmani do të jetë e shoqëruar nga zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në ceremoninë e Kurorëzimin të Mbretit.
Para ceremonisë së Kurorëzimit të Mbretit, presidentja Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe anëtarë të Familjes Mbretërore për liderët botërorë në Buckingham Palace, sot më 5 maj.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, më 6 maj, Osmani dhe zotëriu i parë, krahas krerëve shtetërorë nga e gjithë bota, do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare të Kurorëzimit të Mbretit Charles III në Westminster Abbey, me ç’rast Osmani do t’i përcjellë urimet e popullit dhe institucioneve të Republikës, si dhe do të riafirmojë përkushtimin e palëkundur të shtetit tonë për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Londër, presidentja dhe zotëriu i parë do të marrin pjesë edhe në pritjen që sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, organizon për liderët botërorë.