Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, janë pritur të martën nga familja e heroit Jusuf Gërvalla në Dubovik të Deçanit.
E para e vendit, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se u pritën nga vajza e Jusuf Gërvallës, zv.kryeministrja Donika Gërvalla.
“Liria mban edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre, jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut”, ka shkruar Osmani.
Ndër të tjera, Osmani ka thënë se Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë.
“Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët”, ka vijuar Osmani.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën”.
Ndryshe, më 17 janar të vitit 1982, u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.