Osmani: Epopeja e UÇK-së e përcaktoi fatin tonë si popull e si shtet

Presidentja Vjosa Osmani, në seancën solemne për 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka nderuar heronjtë dhe vlerat e luftës së tyre për liri dhe pavarësi, duke shtuar se uniteti është mjeti i vetëm për ta forcuar shtetin e Kosovës dhe për të shkruar një kapitull të ri të historisë kombëtare

Në seancën solemne për 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur nderim dhe mirënjohje për komandantin legjendar, Adem Jashari, familjen Jashari, si dhe për çdo luftëtar dhe veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Presidentja Osmani ka theksuar se heronjtë janë udhërrëfyes të rrugëtimit të shtetit dhe se ata meritojnë një nderim të përhershëm nga secili qytetar dhe nga shteti i Kosovës.

Ajo ka theksuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fituar me sakrifica të mëdha dhe gjaku i heronjve po kujtohet në themelet e Republikës.

“Ne u detyrohemi komandantit legjendar me familje dhe secilit luftëtar, secilit veteran e invalid të UÇK-së me mirënjohje të përhershme. Heronjtë janë udhërrëfyes të rrugëtimit të shtetit tonë, prandaj do ta nderojmë përkujtimin për ta duke ruajtur e kultivuar vlerat për të cilat ata luftuan dhe ranë. Rrugëtimi ynë ka qenë i mundimshëm e përplot sfida, por përmes gjithë kësaj ne kemi dalë fitimtarë falë sakrificës së luftëtarëve tanë. Liria dhe pavarësia jonë janë gjëja më e shtrenjtë që kemi trashëguar nga ta dhe të shenjta po aq sa heronjtë tanë, gjaku i të cilëve qëndron në themelet e republikës sonë”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shtuar se edhe në momentet më të errëta, populli i Kosovës gjen forcë në historinë dhe trashëgiminë e heronjve të tyre për të luftuar për vlerat në të cilat besojnë.

“Epopeja e UÇK-së përcaktoi fatin tonë si popull dhe si shtet, ajo ishte epope e dinjitetit e krenarisë dhe e lirisë sonë, me të cilën me këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme u dëshmua se liria nuk ka çmim të cilin nuk jemi të gatshëm ta paguajmë. Prandaj shteti i Kosovës qëndron pikërisht mbi supet e heronjve tanë, guximi dhe sakrifica e të cilëve e ka formësuar fatin e republikës sonë të shenjtë”, ka thënë ajo.

Sot shteti i Kosovës, siç ka deklaruar Osmani, qëndron mbi supet e heronjve tanë.

“Vepra e Adem Jasharit dhe gjithë familjes Jashari është një testament për fuqinë e shpirtit njerëzor, një kujtesë se edhe në orët tona më të errëta ne gjejmë forcë si popull për t’u ngritur mbi rrethana të rënda dhe për të luftuar për atë që besojmë, ai e bëri, komandanti legjendar e bëri, prandaj u shndërrua në heroin tonë të përjetshëm së bashku me familjarët e tij”, ka theksuar tutje Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosovës tani më shumë se kurrë i duhet uniteti për çështje të interesit kombëtar.

Po ashtu, ajo ka deklaruar se uniteti është i vetmi mjet për ta forcuar shtetin.

“Tani më shumë e kurrë na duhet uniteti për çështjet e interesit kombëtar është i domosdoshëm, sepse ai është mjeti i vetëm për ta forcuar shtetin tonë, integritetin e tij dhe për ta nderuar kujtimin e atyre që u sakrifikuan për republikën tonë. Na takon neve ta shkruajmë kapitullin e ri të historisë së shtetit tonë, atë të zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës, Kosova është atdheu ynë që e meriton përkushtimin tonë të palëkundur”, ka thënë Osmani.

Në Kosovë më 5 mars ka nisur shënimi i manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa krerët shtetërorë nderuan rezistencën e familjes Jashari.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika