Osmani flet për raportet e saj me kryeministrin Rama

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar raportet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rma, duke thënë se ai i quan krimet në Kosovë thjesht “spastrim etnik”. Ndërsa, sipas saj, spastrimi etnik ka qenë vetëm një element i gjenocidit serb

Foto ilustrim





Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk ka çarje në raportet e saj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, por ka çështje për të cilat nuk pajtohet me të.

“Sa u përket çështjeve, të cilat na ndajnë, ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur dhe pastaj ka çështje të tjera të cilat unë, thjesht, nuk kam nevojë t’ju tregoj juve se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, sepse ai qëndrim është publik”, ka deklaruar Osmani.

Po ashtu, ajo ka thënë se është publik qëndrimi i kryeministrit Rama sa i përket Serbisë dhe mund ta gjeni në fjalimet e tij.

“Është publik qëndrimi i tij ku i quan krimet në Kosovë thjesht spastrim etnik, kurse ato në Bosnje gjenocid, kur, në fakt, ju e dini shumë mirë se edhe gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ICTY-në, kanë vendosur që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, ka thënë ajo.

Osmani është shprehur bindshëm që do të dëshmohet shumë shpejt edhe gjenocidi i kryer në Kosovë, sepse sipas saj, qëllimi i Serbisë nuk ka qenë thjesht t’i dëbojë kosovarët, qytetarët shqiptarë nga Kosova, qëllimi ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës.

“Mjafton të shihni se si janë kryer disa nga masakrat më makabre, përfshirë ato në Gjakovë, në Poklek të Drenasit… në Prekaz, në Mejë të Gjakovës, në Reçak e shumë vende të tjera, për ta kuptuar se qëllimi ka qenë shfarosja dhe jo vetëm dëbimi”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se të reduktohet kjo thjesht në dëbim, është dëm i madh ndaj gjithë sakrificës së popullit shqiptar.

“Natyrisht, këto nuk janë çështje që unë kam nevojë t’i them, por meqenëse po pyesni, po e sqaroj se në qoftë se dikush – pavarësisht kush është, në Kosovë, në Shqipëri, madje edhe në SHBA dhe Evropë – thotë që në Kosovë është kryer vetëm spastrim etnik, natyrisht se përgjigja jonë është që edhe vetë NATO-ja kur ka ndërhyrë në Kosovë, ka dhënë deklaratë zyrtare që po ndërhyn për ta ndalur gjenocidin që po ndodhte në Kosovë”, ka deklaruar ajo.

Gjithashtu, Osmani ka kujtuar deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, në konferencë për media me presidentin rus, Vladimir Putinin e kishte thënë që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid, prandaj kemi ndërhyrë.

“Pra, në fytyrë i ka thënë Putinit që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid”, ka thënë Osmani.

Po ashtu, Osmani ka përmendur edhe deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka thënë të njëjtën në Senat në atë kohë kur ishte senator përgjatë luftërave në Bosnje dhe në Kosovë.

Sipas saj, nuk ka nevojë të shpikim, “sepse e vërteta është mjaftueshëm e tmerrshme rreth asaj se çfarë i ka ndodhur popullit shqiptar në Kosovë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Është me rëndësi për ne – sidomos tani që Serbia udhëhiqet nga ministri i propagandës së Millosheviqit – që ta themi të vërtetën për popullin shqiptar në Kosovë dhe për sakrificat, si dhe për krimet e tmerrshme që janë kryer kundër nesh, në mënyrë që të kemi mundësi që të trasojmë rrugën drejt drejtësisë, sepse viktimat në Kosovë meritojnë drejtësi”.

Osmani ka thënë se e vërteta e Kosovës është që kundër popullit që unë përfaqësoj, është kryer gjenocid.

“Spastrimi etnik ka qenë vetëm një element, andaj të reduktohet në të, është diçka që kërkon që secili prej nesh në Republikën e Kosovës ta ngrejë zërin”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, sipas saj, Kosova dhe Shqipëria kanë dhe do të kenë gjithnjë raporte vëllazërore.

Ndërsa, Osmani gjatë qëndrimit në Pragë, pasi është duke u mbajtur Komuniteti Politik Evropian, ajo ka thënë se nuk ka takuar Ramën, sepse fokusi i saj është në shtetet tjera që Kosova nuk e ka përkrahjen e tyre.

“Fokusi im ka qenë që të marr përkrahjen e shteteve, të cilën (përkrahje) nuk e kemi akoma dhe jo përkrahjen e shteteve të cilën e kemi. Dhe, natyrisht që përkrahjen e Shqipërisë, sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ne e kemi të qartë”, është shprehur ajo, raporton REL.

Osmani ka thënë se nuk ka nevojë ta bind Shqipërinë që të votojë pro Kosovës, “ta zëmë në Këshillin e Evropës, por kam nevojë që t’i bind shumë shtete të tjera që janë anëtare të Këshillit të Evropës që të na përkrahin në këtë proces të anëtarësimit dhe fokusi i takimeve bilaterale ka qenë aty”.





Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika