Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se situatat në veri të Mitrovicës eskalojnë për një arsye të vetme, e sipas saj, kjo po bëhet nga bandat kriminale të përkrahura nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Në një konferencë për media pas samitit të mbajtur në Tiranë, e pyetur për qëndrimin e saj pas tensioneve të raportuara të martën në veri të vendit, Osmani ka thënë se banda të tilla kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit dhe realizimin e agjendave ruso-serbe.
“Për fat të keq, sikurse në rastet paraprake, situata në Veri eskalon për një arsye të vetme sepse bandat kriminale në veri, të përkrahura nga Vuçiq politikisht e financiarisht, kanë për qëllim eskalimin e situatës, kanë për qëllim destabilizmin e tërë Kosovës dhe rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin perëndimor dhe të realizojnë kështu, agjendat ruso-serbe”, ka deklaruar Osmani.
Krahas kësaj, ajo ka theksuar se duhet përpjekur që përmes institucioneve të Kosovës, të vendoset rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës. Ndërkaq, praninë e Vuçiqit e ka cilësuar si një sjellje tipike për të marrur vëmendje.
“Pjesmarrja e Vuçiqit në samit është tipike si në çdo samit, krijon një dramë për ta pasur vëmendjen, njëherë thotë nuk do të vi, pastaj thotë vi se kështu shpreson se do ta ketë vëmendjen e të tjerëve, është qesharake”, ka thënë osmani gjersa ka theksuar se “Vëmendja e vetme të cilën Serbia e ka është vëmendja e një shteti që ska të bëj asgjë me sundim të ligjit, demokraci dhe vlera evropiane. Kjo është Serbia e vërtetë”.
Pas paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të vendit dhe tentimit të shtetit të Kosovës për organizimin e tyre, është tensionuar situata. Mediumi lokal, në Mitrovicë “Jepi zë”, e ka publikuar një video-incizim, të momentit të shpërthimit te tre rrokaqiejt në veri të Mitrovicës.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se nga incidentet nuk ka asnjë të lënduar.