Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se historia e Kosovës paraqet historinë e secilës grua, e cila largoi një gur nga rruga që drejton drejt demokracisë.
Osmani ka hapur edicionin e parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të shtunën e 22 tetorit, forum i cili ka mbledhur gra nga e gjithë bota.
“Historia e Kosovës është histori e secilës grua, e cila ka larguar një gur nga rruga drejt barazisë. Më vjen mirë që kemi mbledhur gra e burra nga çdo kënd i botës. Përpjekja është të sigurohemi që sfidat me të cilat përballemi të tejkalohen”, është shprehur Osmani.
Në hapjen e këtij forumi, Osmani ka treguar rëndësinë e grave në shoqëri dhe mbajtjen e paqes në rajon dhe mbarë botës.
“22 vite më parë, gratë vizionare dhe të guximshme bashkuan zërat e tyre për të krijuar rezuluten 13/25, një akt historik që është gurthemel i asaj që njihet si agjenda për gratë për paqen dhe sigurinë”, ka thënë Osmani, gjersa ka theksuar se një kauzë e tillë është me rëndësi fundamentale për vendin.
Osmani ka theksuar se shënimi i një akti të tillë historik, tregoi se prezenca e grave në vendimmarrje është më se e domosdoshme.
Ajo ka përmendur edhe diskriminimin e grave në vendet e botës, siç është Irani dhe jo vetëm.
“Realiteti është diskriminues. Të drejtat e tyre, jo vetëm që diskriminohen, por edhe lihen anash. Ato sfidohen edhe në demokraci”, ka deklaruar Osmani.
Në këtë forum planifikohej të merrte pjesë edhe tashmë e ndjera, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright. Osmani ka kujtuar atë, duke thënë se Albright do të mbetet një figurë e paharrueshme për popullin e Kosovës dhe njëherit, një zë i shpresës.
Krahas rëndësisë së grave, Osmani ka përmendur edhe luftën aktuale të Ukrainës me shtetin rus, gjersa ka theksuar se të pranishëm në forum ka edhe ukrainas.
Njëherit, në këtë forum, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka ndarë çmimin presidencial për trimërinë dhe kontributin grave të Ukrainës.
Me iniciativë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme, të shtunën dhe të dielën, në Prishtinë, zhvillon punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që është organizimi i parë i këtij lloji.
Pritet që Forumi në fjalë të grumbullojë mbi 400 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, që në fokus ka trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me gratë, paqen dhe sigurinë.