Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ketë qasje të balancuar sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.
Ajo ka fajësuar Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve, duke thënë se Kosova gjithmonë ka qenë pala konstruktive në këtë proces.
“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë. Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, duhet të ketë barazi e pozicionim të palëve në procesin e dialogut nëse ka synime për rezultate të qëndrueshme.
“Ka pasur momente kur se kemi parë këtë balancë, dua t’i bëjë thirrje gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë, që të sigurojnë këtë lloj balance. Ta sigurojmë parimin e barazisë së plotë, e pozicionimit të plotë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme e rezultate që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon”, ka vijuar ajo.