Osmani i kërkon Lajçakut heqjen e masave, i rithekson shqetësimet për Asociacionin

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.

Në këtë takim Osmani ka kërkuar nga Lajçak heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani po ashtu theksoi se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që mund ta interpretojë draft statutin e Asociacionit.

Sipas njoftimit, e para e vendit i ka ritheksuar shqetësimet që i ka për këtë draftstatut.

“Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, thuhet në njoftim.

Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.

Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika