Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur raportimeve të Gazetës Nacionale të cilët thanë se “në rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme në Ferizaj pati njohuri presidentja dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu”.
E para e vendit ka njoftuar institucionet e sigurisë dhe ka bërë të ditur se është në përgatitje të të gjitha mjeteve ligjore në lidhje me këto raportime të cilat Osmani i quan “propagandë e paprecedentë”.
Osmani ka thënë se nuk ka asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme në Ferizaj e as për ndonjë rast dhunimi.
Osmani ka kërkuar nga organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe “gazetën Nacionale dhe portale që ngjajshme që raportuan në mënyrë të tillë”.
“I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi. Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani e ka quajtur këtë “tendencë të drejtpërdrejtë” duke e cilësuar rrezikim të jetës.
“Kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi”, ka vijuar ajo.
Gazeta Nacionale raportoi se motivi i vrasjes së Sadri Sadriut në fshatin Bibaj të Ferizajt nga zyrtari policor, Festim Ramadani ishte “dhunimi i dy motrave të dorasit”.
Sipas Gazetës Nacionale, motivi i vrasjes ishte “dhunimi i dy motrave të dorasit”, të Festim Ramadanit, nga ana e viktimës, Sadri Sadriu, kur ato ishin të mitura”.
Sipas Nacionales, viktima ishte burri i tezës së dorasit.
Sipas raportimeve, viktima Sadri Sadriu është axha i bashkëshortit të Presidentes Vjosa Osmani, Zotëriut të Parë, Prindon Sadriu.
E për këtë rast, sipas Nacionales, ishte i informuar edhe “bashkëshorti i Presidentes, z.Prindon Sadriu por edhe vetë Presidentja Vjosa Osmani”.
Këtu mund të gjeni artikullin e plotë nga Gazeta Nacionale: Axha i Prindon Sadriut që u vra mbrëmë, dyshohet për pedofili, dorasi u hakmor për dy motrat e tij
Pas reagimit të presidentes, një reagim pati edhe pronari i Gazetës “Nacionale”, Berat Buzhala.
“Presidentja Osmani mu paska turre me nje postim ne FB, se koka tu ni e rrezikume. I paska ftu organet e sigurise me me hetu. Ok. Edhe pas ketij kercenimi direkt nga vogelsia e saj, Vjosa Osmani, une vazhdoj mos me u ni qaqqqqqq shume i rrezikume. Sido qe te jete, rrini ne lidhje. Dikur prej akshamit do t’i pergjigjna me nje video”, ka shkruar Buzhala në Facebook.