Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), Joe Biden me rastin e 246-vjetorit të pavarësisë së ShBA-ve, me ç’rast i thotë se Kosova llogarit në ta drejt rrugëtimit në strukturat euroatlantike.
Përgjatë përcjelljes së urimeve në letër, Osmani ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve kundrejt Evropës.
Ndër të tjera, në letrën e saj ajo ka shkruar se, “Lidhja midis dy kombeve është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira”.
“Gjatë dekadave të fundit, vendet tona jo vetëm që janë forcuar, por edhe jemi rritur së bashku. Në veçanti, populli i Republikës së Kosovës është mirënjohës për mbështetjen tuaj personale dhe të vazhdueshme, ndaj ne vazhdojmë të llogarisim te ju, përderisa ecim përpara në rrugën tonë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin tonë të përbashkët dhe qëllimet”, thuhet në letrën e Osmanit dërguar presidentit Biden.