Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidentin Recep Tayyip Erdogan për rizgjedhjen e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Me anë të një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se mezi pret që të thellojë bashkëpunimin.
“I shprehim urimet tona të përzemërta Presidentit Erdogan për fitoren e sotme. Ndërsa ju vazhdoni ta udhëheqni Turqinë drejt sukseseve të reja, mezi pres të punojmë së bashku për të ndërtuar mbi bashkëpunimin tonë të shkëlqyer”, shkroi ajo.
https://twitter.com/VjosaOsmaniPRKS/status/1662879259021418497?s=20
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të dielën se populli turk i ka dhënë atij përgjegjësinë për të qeverisur në pesë vjetët e ardhshme, duke shpallur fitoren në rundin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.
Duke folur para mbështetësve të tij në Stamboll, Erdogan, që e ka udhëhequr Turqinë për dy dekada, falënderoi qytetarët që votuan dhe tha se me votën e tyre, ai ka mposhtur në zgjedhje kundërkandidatit nga opozita, Kemal Kilicdaroglu.
Numërimi i votave për zgjedhjet presidenciale turke po vazhdon.
Kryetari i Këshillit Suprem Zgjedhor të Turqisë, Ahmet Yeren, tha se presidenti Erdogan, po prin në rundin e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale.
Sipas tij, me numërimin e 54.6 për qind të votave, Erdogan ka fituar 54.47 për qind. Ndërkaq, Kilicdaroglu, ka fituar 45.53 për qind të votave.
Ndërkaq, agjencia e lajmeve Anka, që është e afërt me opozitën, raportoi se Erdogan ka fituar 51.9 për qind të votave, ndërkaq Kilicdaroglu 48.1. Kjo agjenci tha se këto shifra i referohen 98 për qind të votave të numëruara.
Mbi 60 milionë persona kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës.
Qendrat e votimit për rundin e balotazhit u hapën në orën 08:00, sipas kohës lokale, dhe u mbyllën në orën 17:00.
Sipas Anadolut, dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve është 4 për qind se në rundin e parë, përkatësisht 84-85 për qind.
Mbi 400.000 vullnetarë nga partitë opozitare kanë monitoruar procesin e votimit dhe të numërimit të votave.
Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 14 maj, Erdogan doli i pari, duke fituar 49.5 për qind të votave, ndërkaq Kilicaroglu arriti të merrte 44.9 për qind të votave.