Osmani kërkon liberalizimin e vizave: Na lini të hyjmë brenda BE-së

Kosova e ka bërë pjesën e saj, tani është radha e BE-së, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, ku ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ajo ka thënë se pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim.

“Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë, vërtetë, do të na dëgjoni. Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më proevropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, është shprehur Osmani.

“Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda”.

Ajo ka theksuar se Kosova ka bërë pjesën e saj, dhe se sipas presidentes tani është radha e BE-së.

“Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen”.

“Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent”.

Për Osmanin kjo është edhe arsyeja pse këtë vit Kosova ka vendosur të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE.

“Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë. Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmëhapa për sa i përket integrimit”.

Siguria në Ballkan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për të ardhmen e kontinentit.

“Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu”, ka thënë Osmani.

“Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel, këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë”, kështu ka deklaruar presidentja Osmani, sa i përket renditjes së Serbisë përkrah Rusisë.

“Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen”, ka shtuar ajo.

Sipas të parës së vendit, ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave.

“Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka thënë se qëndron përkrah sakrificës së popullit ukrainas.

“Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, 23 vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike.

“Kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike”, ka përfunduar ajo.

Samiti i BE-së, 23 qershor 2022

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika