Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Çeki, është takuar me zëvendës kryeministrin e Holandës, Ëopke Hoekstra.
Gjatë këtij takimi, Osmani i ka bërë thirrje Holandës që së bashku me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, të angazhohen që liberalizimi i vizave për Kosovën të marrë epilog gjatë presidencës çeke.
“Temë qendrore e diskutimit në këtë takim ishte procesi i liberalizimit të vizave. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova tash e sa kohë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka kërkuar mbështetjen holandeze”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes.
Po ashtu, presidentja Osmani ka folur edhe për agjendën evropiane të Kosovës, duke rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të vendit për të vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat, e njëkohësisht edhe përgatitjen për aplikim për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Në takim me zv.kryeministrin Hoekstra, Osmani kërkoi mbështetjen holandeze për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe në NATO.
Po ashtu, në këtë takim Osmani dhe Hoekstra diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe Evropë, si dhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve.
Ndryshe, Osmani, të mërkurën është takuar me kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala, me të cilin kanë biseduar “rreth urgjencës së përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së”.
Osmani ka theksuar se vendimi për t’ia liberalizuar vizat Kosovës, është tejet i vonuar.
“Ky vendim i vonuar për më shumë se 4 vite, shpresojmë të merret pikërisht në Çeki, vendin simbol të lirisë, i cili gjithnjë qëndroi në përkrahje të popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Përveç liberalizimit të vizave, presidentja Osmani ka bërë të ditur se me kryeministrin e Çekisë, kanë diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Po ashtu, sipas presidentes së Kosovës, në këtë takim është diskutuar thellimi i raporteve bilaterale në mes të të dyja vendeve.