Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e koordinimit të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çdo hap të ndërmarrë në fushën e sigurisë.
Në një intervistë për emisionin “FIVE” të Dukagjinit, pas vizitës së saj në Uashington në kuadër të Samitit të NATO-s, Osmani ka treguar se ka marrë garancinë dhe përkushtimin e plotë nga ShBA-ja për paqen, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Ne kemi marrë sigurinë e plotë dhe përkushtimin e plotë nga ShBA-të që paqja, siguria dhe kufijtë e Kosovës janë ajo që ne i mbrojmë bashkë me ShBA dhe do t’i kemi në krah ata vazhdimisht. Por, natyrshëm Kosova duhet çdo hap në fushën e sigurisë ta ndërmarrë në koordinim të plotë me ShBA-të,” tha Osmani.
Ajo theksoi se ky koordinim është jetik, duke marrë parasysh rrezikun me të cilin përballen policët dhe ushtarët ndërkombëtarë që mbrojnë kufijtë e Kosovës, përfshirë edhe ata amerikanë, italianë, turq dhe të tjerë që ndihmojnë në mbrojtjen e vendit.
“Sepse njëkohësisht rrezikojnë jetën policët tanë ne kufi me Kosovës, e rrezikojnë jetën edhe ushtarët amerikanë edhe ata italianë, edhe ata turq e të tjerët që po e mbrojnë Kosovën bashkë me ne…Këta janë aleatët të cilët na kanë mundësuar edhe lirinë edhe pavarësinë edhe sigurinë e paqen, prandaj është me rëndësi që rrugëtimin tutje të bëjmë bashkë”, ka thënë Osmani në “FIVE”.
Osmani ka theksuar se Kosova ka miq dhe përkrahës të mëdhenj brenda administratës aktuale të SHBA-së, të cilët janë të angazhuar dhe të informuar mirë për situatën në rajon dhe konfliktin e mundshëm. Dhe sipas saj, ShBA-ja është e vetëdijshme për rrezikun e përshkallëzimit të situatës përmes sulmeve serbe dhe po bëjnë çdo përpjekje për të parandaluar një gjë të tillë
“Dua të siguroj që Kosova ka miq të mëdhenj dhe përkrahës të pashoq në administratën e tanishme. Dhe janë angazhuar për Kosovën. Dhe e njohin situatën afër në rajon dhe kontestin jashtëzakonisht mirë. Kemi diskutuar në këto takime që përmenda, për situatën e sigurisë për rreziqe që krijohen nga ana e Serbisë. Është më rëndësi që ne e kemi përkushtim e plotë të ShBA, që të mbrohen nga agresioni të mundshme, të mbrohen paqja dhe siguria në vendin tonë. Rrjedhimit në rajon dhe në kontinentin evropian. Secili prej tyre e kupton shumë mirë në qoftë se eskalon situata sërish nëpërmjet sulmeve serbe, dhe janë duke bërë çmos që të parandalohet një gjë e tillë. Jo vetëm nëpërmjet trupave të NATO-s dhe trupave amerikanë, që janë mesazh i drejtpërdrejtë se nuk do të lejohet të preket siguria dhe paqja në Kosovës. Dhe nëpërmjet mesazheve të qarta politike, që ata i drejtojnë çdo fuqie destabilizuese në rajonin tonë, që natyrisht janë të përfaqësuesi nga njerëzit brenda Serbisë..”, ka thënë Osmani.