Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa është shprehur mirënjohëse ndaj Sllovenisë për përkrahjen ndaj Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka theksuar se të dy vendet ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike.
Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka potencuar se raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intesifikohen vazhdimisht në të ardhmen.
“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Osmani.
Presidentja e vendit, ka thënë se Sllovenia nuk është vetëm shtet mik i Kosovës, por edhe partner strategjik e aleat i përhershëm në rajon.
Lidhur me takimin e së hënës me homolgun e saj slloven, Borut Pahor, në Lubljanë, Osmani ka thënë se kjo vizitë dëshmon se vullneti dhe gatishmëria në këtë drejtim është e dyanshme.
“Përderisa punojmë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera, kjo vizitë na dëshmoi se vullneti dhe gatishmëria në këtë drejtim është e dyanshme. Në takimin ndërmjet dy delegacioneve mori pjesë edhe Ministrja sllovene e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e cila është një përkrahëse e fuqishme e Kosovës”, shtoi ajo.
Po ashtu, sipas presidentes Osmani marrëdhëniet e afërta ndërmjet dy popujve datojnë që nga vitet e para luftës.
“Ato janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan e synojmë që raportet tona ndërshtetërore t`i thellojmë dhe intensifikojmë vazhdimisht në të ardhmen”.
Presidentja e Kosovës, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se Sllovenia në çdo sferë ka mbështetur Kosovën dhe është zë i fortë i këtij vendi në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit drejt BE-së.
“Integrimi drejt BE-së, ka qenë rruga e vetme që ne kemi ecur dhe do të ecim në të ardhmen”, ka thënë Osmani.
Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi, ajo ka thënë se procesi është duke vazhduar.
“Gjatë korrikut, do të kemi takim të kryenegociatorëve. Kemi bërë marrëveshjen për energji dhe progres në marrëveshjen për reciprocitet të targave”, ka shtuar Osmani
Sipas Osmanit, Kosova në këtë dialog është palë kreative dhe konstruktive, dhe më këtë qasje siç thotë ajo, do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
Osmani: Sllovenia vazhdon të jetë zë i fortë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën