Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të premte ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib, ku ka theksuar edhe një herë që është e nevojshme që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë më 24 shtator, ku vdiq polici Afrim Bunjaku.
Në këtë takim, sipas njoftimit të Presidencës, Osmani falënderoi Belgjikën për mbështetjen për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen e ofruar për anëtarësim në Këshillin e Evropës e në procesin e liberalizimit të vizave.
“Në takim, Osmani e ka informuar ministren Lahbib edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e 24 shtatorit të Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, presidentja përgëzoi shtetin e Belgjikës për ngritjen e nivelit diplomatik të marrëdhënieve ndërshtetërore me hapjen e Ambasadës në Prishtinë.
Sipas Osmanit, Kosova është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve, si dhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata e Kosovës në Belgjikë luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sipas presidentes Osmani, Kosova është një vend modern evropian, demokratik dhe shumëetnik që aspiron të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare. Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se meqë Belgjika e merr Presidencën e BE-së më 1 janar 2024, ndaj Kosova është e interesuar të punojë sa më afër me Presidencën belge për të siguruar progres konkret në procesin e integrimit të Kosovës në BE”, vijon në komunikatën e Presidencës.