Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Shqipëria po i bën vazhdimisht Kosovës, sikurse në kohë të vështira, ashtu edhe në festimet e arritjeve kryesore të historisë së vendit.
“ Falenderoj që udhëhoqën delegacionin e madh të Republikës së Shqipërisë, për Edicionin e Dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kurrë nuk është e tepër në emër të Popullit të Kosovës të shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, edhe në kohë të vështira, por edhe përderisa kemi festuar të gjitha të arriturat në historinë tonë”.
Osmani ka potencuar se aktualisht Kosova është duke u përballur me një sfidë të re, duke u përpjekur të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, por që deputetët nga Shqipëria dhe Kosova po lobojnë fuqishëm për suksesin e vendit.
“Këto ditë Kosova po përballet me një sfidë të re, ajo e përpjekjeve për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Kjo është kauzë për më shumë të drejta të njeriut për gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie, religjioni apo bachroundi tjetër. Jemi të bekuar që kemi pasur përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Shqipërisë. Nderisa ne flasim, Deputetët e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë aktualisht janë duke lobuar fuqishëm tek të gjithë homologët e tyre në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, shtoi Osmani.
Madje, sipas presidentes Osmani, vendi i Kosovës e ka merituar anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës që nga viti 2010.
“Me shpresën që nesër të jemi do të suksesshëm në këtë votim. Së bashku me gjithë liderët shqiptarë do të vazhdojmë të sigurohemi se Kosova ta ketë përkrahjen e nevojshme në këtë organizatë, ku në fakt e ka merituar që nga viti 2010 e tutje, kur morëm numrin e nevojshme të njohjeve që përbëjnë 2/3 në KiE”.
“Synimi ynë është integrimi i plotë në strukturat euroantlantike. Në këtë rrugë do të ndjekim shembullin e Shqipërisë, si një anëtare e suksesshme e NATO-së, me një mandat të suksesshëm edhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në rrugë të qartë drejt BE-së. Jemi të bindur se kjo është rruga e vetme për ne, dhe për ne asnjëherë nuk ka pasur alternativë tjetër dhe të gjitha reformat që po i bën Kosova janë në këtë drejtim”, tha Osmani.