Në përvjetorin e 17-të të Pavarësisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar arritjet dhe sakrificat që kanë çuar në këtë ditë historike për popullin.
Në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, presidentja Osmani ka përkujtuar rrugëtimin e gjatë të Kosovës, që nisi me vizionin e presidentit Ibrahim Rugova dhe u forcua me sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe komandantit legjendar Adem Jashari.
“Ne jemi këtu sot sepse ia dolëm të ringritemi ta ndërtojmë dhe ta forcojmë shtetin tonë, Falë ushtrisë dhe Policisë së Kosovës arritëm ta mbrojmë edhe çdo pëllëmbë të shtetit tonë. Në këtë ditë të madhe të historisë sonë, në këtë 17 vjetor të Pavarësisë qëndrojmë krenar para flamurit tonë të dashur, nën qiellin e lirë të atdheut tonë për ta nderuar rrugëtimin e lavdishëm të kombit tonë drejt lirisë, sovranitetit dhe shtetësisë së plotë”, ka theksuar Osmani.
Presidentja Osmani ka potencuar se, falë Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës, vendi ka arritur të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të tij dhe se sot, Kosova qëndron krenare para flamurit të saj të shenjtë, nën qiellin e lirë të atdheut.
Ajo ka vlerësuar lart sakrificat e UÇK-së dhe familjes Jashari, si dhe të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Në themelet e Republikës sonë qëndron një rrugëtim i gjatë, që nisi me vizionin e arkitektit të pavarësisë sonë, atit themeltar të Republikës presidentit historik Ibrahim Rugova. Me mençuri dhe këmbëngulje ai udhëhoqi rezistencën paqësore të popullit tonë duke e bërë të njohur kauzën tonë para botës e duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat edhe sot na rrinë pranë. Sot me nderimin më të madh përulemi para sakrificës të UCK-së e cila nën udhëheqjen e komandantit legjendar Adem Jashari e mijëra luftëtarë të lirisë e vulosi fatin tonë me gjakun e saj, përkulemi me respekt të thellë për familjen Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, e UCK-së e martirët q ë bënë këtë ditë të mundshme me sakrificën e tyre të jashtëzakonshme”, është shprehur Osmani.
Ajo gjithashtu ka potencuar se shteti i Kosovës është frymë shpirt dhe mision i përhershëm.
“Kosova megjithatë nuk është vetëm një copë tokë Kosova është frymë shpirt dhe mision i përhershëm … Kushdo që guxon ta vërë në dyshim këtë realitet le ta dëgjoj zërin e popullit sot. Sot ne të gjithë populli i Kosovës jemi bashkë, populli i Kosovës feston si një, me dhe krenari, pavarësisht dallimeve, sfidave … ne mbesim të bashkuar për atdheun tonë, për Republikën tonë të dashur”, është shprehur Osmani.
Po ashtu, presidentja Osmani u shpreh me mirënjohje ndaj aleatëve ndërkombëtarë, duke theksuar se mbështetja e SHBA-së, NATO-s, shteteve evropiane dhe demokracive botërore ka qenë e pazëvendësueshme për arritjen e Pavarësisë.
“Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatët tanë, falënderimi ynë i përjetshëm shkon për SHBA-në, për NATO-n, për shtetet evropiane dhe demokracitë gjithandej botës”, ka deklaruar mes tjerash ajo.